Presidentit amerikan, Donald Trump nuk i del inati me Rusinë. Në një reagim të fortë pas sulmeve më të fundit vdekjeprurëse në Kiev, me 28 të vrarë e dhjetëra të plagosur, Trump i quajti veprimet e Moskës “të neveritshme” dhe u zotua për sanksione të reja.
Mendoj që është e neveritshme ajo që po bën Rusia, iu tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ajo çfarë po bën Rusia është shumë pikëlluese. Shumë rusë janë duke vdekur. Shtetet e Bashkuara planifikojnë të vendosin sanksione të reja ndaj Moskës.
Por, Trump nuk ka ofruar më shumë hollësi. Megjithatë, shtoi se “nuk e di nëse sanksionet e shqetësojnë atë”, një referencë për presidentin rus, Vladimir Putin.
Vendet perëndimore kanë vendosur një mori masash financiare kundër Moskës, duke dëmtuar rëndë ekonominë ruse, për t’i kufizuar fondet mbi financimin e luftës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff do të shkojë në Moskë, pas një udhëtimi në Izrael, ku pritet të diskutojë me zyrtarët izraelitë për situatën në Gaza.
Ai do të shkojë në Rusi, besojeni ose jo.
Presidenti amerikan foli disa orë pasi homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky apeloi për “ndryshim regjimi” në Kremlin, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për t’i parandaluar Rusisë përpjekjet për “destabilizim” të rajonit në të ardhmen. Trump ende beson që është e mundur për aleatët perëndimorë që ta detyrojnë Rusinë t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se shumë shpejt, Trump do të detyrohet të vendosë si t’i shtyjë përpara përpjekjet për armëpushim, nëse njëra palë e refuzon këtë nismë. Rubio deklaroi se zyrtarët amerikanë dhe rusë patën negociata private për luftën e Kremlinit në Ukrainë, por Uashingtoni nuk ka parë përparim në bisedime.
Më 29 korrik, Trump, i cili është “shumë i zhgënjyer” me Putinin që nuk i jep fund luftës, ka deklaruar se do ta zvogëlojë në “10-12 ditë” ultimatumin 50-ditor për liderin rus, që të arrijë marrëveshje për armëpushim. Ai u zotua të vendosë tarifa të reja ndaj Rusisë nëse e kundërshton marrëveshjen.
Në anën tjetër, Zelensky shprehet i gatshëm të pranojë armëpushimin dhe ka propozuar takim direkt me Putinin, diçka që Kremlini e ka refuzuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se po mbajnë shënime për komentet e Trump-it, pa dhënë më shumë hollësi.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.