Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se do t’i vazhdojë përpjekjet për shkëmbimin e të burgosurve me Moskën, por shprehu dyshime se do të ketë sukses.
Ukraina vazhdon të bëjë gjithçka është e mundur për të siguruar lirimin e robërve tanë të luftës dhe kthimin e trupave të luftëtarëve të rënë. Fatkeqësisht, listat e plota nga Rusia për shkëmbimin e mbi 1 mijë njerëzve, siç edhe u ra dakord në Stamboll, ende nuk janë dorëzuar. Si zakonisht, pala ruse po përpiqet sërish t’i shndërrojë të tilla çështje, në lojë të ndyrë politike dhe informacioni.
Nëse Kremlini nuk i përmbahet marrëveshjeve, madje as për çështje humanitare, kjo do t’i vërë në pikëpyetje të madhe të gjitha përpjekjet ndërkombëtare, veçanërisht ato të Shteteve të Bashkuara për bisedime dhe diplomaci.
Ndërkohë, Zelensky i tha rrjetit televiziv amerikan ABC se vetëm “presioni i madh” nga Uashingtoni dhe Europa mund ta detyrojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të lëshojë pe.
Pastaj, ata do ta ndalnin luftën.
Dje, zyrtarët ukrainas hodhën poshtë akuzat e Rusisë se Kievi po e zvarriste këmbimin e të burgosurve të luftës dhe kthimin e trupave të ushtarëve të rënë. Këshilltari i Kremlinit, Vladimir Medinsky, pretendoi se Ukraina ka shtyrë papritur si shkëmbimin e të burgosurve, ashtu edhe pranimin e trupave të ushtarëve për kohë të pacaktuar.
Medinsky deklaroi se Rusia i kishte dorëzuar Ukrainës një listë me 640 të burgosur duke i dhënë përparësi të plagosurve, të sëmurëve rëndë e të rinjve.
Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e Robërve të Luftës u shpreh se pretendimet e Rusisë nuk përputhen me realitetin apo marrëveshjet e mëparshme. Sipas zyrtarëve ukrainas, megjithëse në parim palët ranë dakord për kthimin e trupave të rreth 12 mijë ushtarëve të vdekur pas bisedimeve për paqe në Stamboll, nuk ishte caktuar asnjë datë specifike për këmbimin.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës akuzoi Moskën se po bën përpjekje për t’i “rishkruar” marrëveshjet e arritura në Stamboll dhe për krijimin e “pengesave artificiale e deklaratave të rreme” për të shtyrë procesin. Ministria paralajmëroi se nëse Rusia nuk i përmbush premtimet e veta, e vë në pikëpyetje besueshmërinë e ekipit negociator rus.
Presidenti amerikan Trump, iu ka kërkuar palëve ta përfundojnë luftën, që nisi në shkurt 2022. Kievi është pajtuar me thirrjen e SHBA-ve për një armëpushim 30-ditor. Moska ka kundërshtuar duke thënë se së pari duhet të përmbushen disa kushte, të cilat janë të papranueshme për Ukrainën.