Sport

Luhen 73 ndeshje në tre ditë, klubet e Superiores duhet të sigurojnë fitore për të mos rrezikuar renditjen e Shqipërisë në UEFA!

Mesjava e turit të dytë në Europë sheh të luhen 73 ndeshje në të tre kompeticionet e klubeve të organizuara nga UEFA. Luhen 14 sot, 8 të mërkurën dhe plot 51 të tilla të enjten. Dhe për Shqipërinë mund të jenë vendimtare.

LEXO EDHE: Portieri Alen Sherri prezantohet në skuadrën e re: Kam bërë zgjedhjen e duhur, mundësi e shkëlqyer për mua!

Pas eliminimit të Partizanit, në garë kanë mbetur Egnatia, Dinamo dhe Vllaznia, të tre në garë në Ligën e Konferencës. Dhe skuadrat shqiptare, duke parë ecurinë dhe shortin e skuadrave të vendeve të tjera, duhet të sigurojnë rezultate, përndryshe rrezikojnë renditjen e kampionatin tonë në UEFA.

Shqipëria e nis këtë mesjavë në vendin e 45-të, në klasifikimin që merr për bazë rezultatet pozitive të skuadrave të kampionateve. Bilanci i deritanishëm i Shqipërisë nuk është ndër më të mirët: 2 fitore, 1 barazim e tre humbje janë rezultatet e klubeve shqiptare, që kanë siguruar deri tani vendin e 45-të, por jo sigurinë se mund të shpëtojnë nga “rënia nga kategoria”.

LEXO EDHE: Klasikja, derbi dhe sfida me rivalitet historik, mësoni 36 javët e Superiores dhe datat!

Nëse kampionati shqiptar bie poshtë vendit të 50-të në Europë, atëherë pas dy sezonesh, Shqipëria do të jetë me vetëm 3 skuadra në Europë e jo me 5 të tilla. Do të ishte një goditje shumë e rëndë për futbollin shqiptar dhe të ardhurat që ai siguron nëpërmjet pjesëmarrjes në kompeticionet evropiane. Një goditje që duhet shmangur me çdo kusht nëpërmjet rezultateve pozitive në dy javët e ardhshme nga tre klubet që kanë mbetur në garë.