Lëvizja Vetëvendosje propozoi nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca si të mandatuar për kryeministër të Kosovës.
Unë marr vendin e Glaukut e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë, tha kreu i LVV-së, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kurti iu referua postit të zv.kryeministrit e ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, ku Konjufca ishte caktuar në ekzekutivin e propozuar nga Kurti më 26 tetor, por që nuk mori mbështetjen e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë mënyrë mund të shmangen dy palë zgjedhje dhe Kuvendi të miratojë buxhetin për vitin 2026.
Sipas tij, nëse në dhjetor vendi shkon në zgjedhje pa buxhet, rrezikohet shteti.
Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku, në mënyrë që të procedohet buxheti i shtetit nga një qeveri fuqiplotë.
Kjo mbledhje e LVV-së vjen vetëm një ditë para se të kalojë afati 10-ditor i presidentes Vjosa Osmani, për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e qeverisë së re të Kosovës apo për të shpallur zgjedhje të reja.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi “shfaqje teatrale”.
Dua të besoj se Presidentja e Republikës do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot, por pa shumicë paralamentare, shkroi ai në Facebook.
Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor, për të diskutuar çështjen e të mandatuarit e të zgjedhjeve.
Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.
Osmani bëri të ditur se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit, atëherë kur përfundon periudha 10-ditore e kjo për të parë nëse mund të formohet shumica. Kryetarja e shtetit vuri në dukje se Kushtetuta e detyron që ajo të bëjë çdo përpjekje që të mund të shmangen zgjedhjet. Albin Kurti qe mandatuar më 11 tetor nga presidentja Osmani për të formuar ekzekutivin e ri, por pa sukses. Ai nuk mori 61 votat e nevojshme për miratim.