Rajoni

Zgjedhje të reja apo mandat i ri për kryeministër në Kosovë?

Afati kushtetues për formimin e qeverisë përfundon nesër dhe Kosova ndodhet përballë një vendimi të rëndësishëm. Nëse nuk arrihet marrëveshje për krijimin e shumicës parlamentare, presidentja pritet të vendosë mes shpalljes së zgjedhjeve të reja.

Nesër përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani, duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër ose të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Më 26 tetor, në Kuvendin e Kosovës dështoi votimi për formimin e qeverisë “Kurti 3”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paraqiti para deputetëve kabinetin e ri qeveritar, por propozimi nuk u miratua se mori vetëm 56 vota pro. Pas këtij zhvillimi, presidentja Osmani nisi konsultimet me subjektet politike. Të premten mbajti një takim të përbashkët me liderët e partive, ku u diskutua për hapat e mëtejshëm.

Osmani deklaroi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja theksoi se sa i përket të mandatuarit të parë, është e qartë se i takon vetëm partisë që doli e para në zgjedhje.

Nuk ekziston asnjë kufizim se cila parti mund të propozojë të mandatuarin e dytë.

Referuar Osmanit, Kushtetuta i njeh kryetares së shtetit të drejtën për të vendosur se kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e qeverisë.

Si në Kushtetutë, ashtu edhe në aktgjykimet e Kushtetueses, përmendet termi “mandatar tjetër”.

Nuk mund të paragjykoj me çfarë propozimi do të vijë Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse do të vijë fare me ndonjë propozim të tillë.

Albin Kurti kishte deklaruar se kanë bërë përpjekje për të arritur koalicione, por asnjëra nga partitë politike nuk pranoi.

Këto 6 muaj, përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat. Asnjëra nga partitë parlamentare nuk pranoi të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Nëse oferta jonë për bashkëpunim do të pranohej, sot do të kishim mundësi të formonim një qeveri të koalicionit dhe të tejkalonim sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajve.

Pas takimit me presidenten, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha:

Takimi bëri të qartë se askush nuk mund ta krijojë shumicën e re parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale. Kurti na i ka humbur 8 muaj me manipulim e mashtrim dhe tash po i kërkon dhe disa ditë. Ai në mënyrë të kundërligjshme po vazhdon që të qëndrojë në zyrë dhe të marrë vendime të kundërligjshme. Eshtë e qartë se as në ëndrrat e tij më të mira, ai nuk mund ta bëjë shumicën. E mori fjalën kah gjysma e takimit, nuk është se tha shumë diçka. Vetëm ka të nënkuptohet se dëshiron me i pasë edhe disa ditë për me vazhdu këtë agoni.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ironikisht, në takim u përmend ideja e qeverisë së unitetit, por shtoi se në këtë fazë, kjo nuk është e mundur.

Në takim pati edhe pretendime nga kreu i VV-së, Albin Kurti që duhet provuar edhe një herë formimi i qeverisë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj bëri të ditur se Osmani iu kërkoi partive të sqarojnë se e kanë shumicën, teksa zbuloi se kreu i VV-së kërkoi disa ditë kohë.

Me shumë gjasë s’do të ketë mandatar tjetër, por se Kurti po e shfrytëzon këtë veç për të fituar kohë.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. LVV-ja doli e para, PDK-ja e dyta dhe LDK-ja e treta.