Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) dhe partia “Djathtas 1912” sot zyrtarizuan krijimin e koalicionit për zgjedhjet e 11 majit 2025. Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi tha se partitë e tjera në pakicë duhet të jenë “të qeta nga ky bashkim”, se kundërshtari i tyre mbetet i njëjtë, “qeveria”.
Sigurisht që i gjithë koalicioni ka një qëllim në radhë të parë, të rrëzojë qeverinë që kemi përballe dhe Edi Ramën. Si garant i listës, ftoj të gjitha palët në bllokun opozitar që të jenë të qeta se do të respektohen të gjitha rregullat e lojës, të ndershmërisë. Ka vend për të gjithë. Kemi fatin e madh të gjitha partitë alternativa, jo të reja apo të vogla e të mëdha, se kanë një hapësirë prej 140 deputetësh. Eshtë shans i madh për të gjithë ata që mendojnë me tërë mend të krijojnë një hark të madh opozitar.
Koalicioni ende nuk ka një emërtim të qartë dhe palët nënshkruese thanë se do të presin datën 3 mars për ta bërë të njohur, siç i detyron ligji.
Ata që mund të jenë kontribues, mund ta mendojnë ndryshe nga ne emrin. Edhe format e bashkëpunimit në nivel qarku e lokal i lëmë të hapura. Gjithsesi, koha nuk punon për ne. Kemi një javë kohë. I ftoj të gjithë ata kolegë që kanë dëshirë të na bashkohen, individë, lëvizje qytetare, shoqëria civile, kontribues në jetën publike qytetare të Shqipërisë, t’i bashkohen kësaj liste të hapur, që është formula më e fisme.
Edvin Kulluri, përfaqësues i “Djathtas 1912” tha se koalicioni i ri ndërtohet mbi parimin e tolerancës, çka do të reflektohet edhe në përbërjen e listave të kandidatëve për deputetë.
Nëse një parti ka disa kandidatë që i gjykojmë më të mirë se subjektet e tjera, ne do të tolerojmë palët e tjera dhe anasjelltas. Ky koalicion, ky bashkim për princip, jo vetëm për kundërshti ndaj Berishës apo Ramës, mund të funksionojë vetëm nëse nuk ka protagonizma personale të subjekteve politike.
Ne jemi të hapur në çdo moment, për çdo subjekt politik e jo vetëm për grupimin që drejton Basha. Meqenëse partitë politike të mëdha nuk kanë pranuar të reformohen, ne jemi zotuar që ta reformojmë sistemin politik nëpërmjet garës parlamentare. Në këtë koalicion askush nuk i tregon vendin askujt.