Peter Magyar ka deklaruar se do të ndërmarrë ndryshime të thella kushtetuese në Hungari, me synimin për të larguar nga detyra një pjesë të madhe të zyrtarëve të emëruar gjatë qeverisjes së mëparshme të Viktor Orbán, përfshirë edhe Presidentin e vendit, Tamás Sulyok.
Magyar ka akuzuar presidentin se ka ndjekur linjën politike të Orbánit gjatë viteve të fundit dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij, kërkesë e cila është refuzuar nga Sulyok.
Presidenti hungarez, i cili mban detyrën që nga viti 2024, ka deklaruar se nuk do të largohet nga posti dhe se çdo përpjekje për shkarkimin e tij është politikisht e motivuar. Ai ka njoftuar gjithashtu se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion kushtetues mbi situatën.
Nga ana e tij, Magyar është shprehur se qëllimi i tij është “rikthimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë hungareze”, duke paralajmëruar ndryshime në institucionet kryesore shtetërore dhe zëvendësimin e drejtuesve të emëruar më parë.
Ndërkohë, presidenti Sulyok ka theksuar se do të bashkëpunojë me qeverinë për çështje të rëndësishme si marrëveshjet me Bashkimin Europian dhe funksionimin e institucioneve shtetërore, pavarësisht përplasjeve politike.
Situata politike në Hungari mbetet e tensionuar, ndërsa priten zhvillime të mëtejshme mbi fatin e reformave të paralajmëruara nga qeveria e re.