Aktualitet

Mallrat e shportës që u rritën më shumë se inflacioni mesatar në vitin 2024!

Nga 51 grupe mallrash dhe shërbimesh që shërbejnë për matjen e inflacionit mesatar, në 34 prej tyre çmimet u rritën më shumë se mesatarja përgjatë 2024-ës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vitin e kaluar inflacioni arriti në 2.2%, por shumica e grupeve të shportës së mallrave u rriten mbi këtë nivel.

Rritjen më të lartë të çmimeve në vitin 2024 e kishin zarzavatet me 6.2%, kondicionerët (5.4%), akomodimi në hotele me 5.2%. Gjithashtu rrije mbi mesataren kishin veshjet për fëmijë (5.1 %), mallra dhe shërbime shtëpie 4.8%. Më shumë se inflacioni mesatar është rritur edhe tarifa e ujit, e cila rregullohet nga shteti nëpërmjet Entit Rregullator të Ujit.

Të dhëna te detajuara tregojnë se rritje mbi inflacionin mesatar kanë shënuar kryesisht ushqimet dhe mallrat për shtëpinë. Të gjitha mallrat dhe shërbimet që kanë lidhje me shtëpinë, të tilla si elektro-shtëpiake, tapiceri, mobilje janë rritur mbi 2.5 deri në 4%. Në krahun tjetër, gjatë vitit të kaluar çmimet mesatare kanë pësuar rënie për 6 grupe mallrash dhe shërbimesh.

Rënien më të madhe e ka pësuar grupi “Vajra dhe Yndyrat” me -2.7% në krahasim me vitin 2023 duke reflektuar bazën e lartë të çmimeve në këtë produkt pas luftës në Ukraine ku çmimi i yndyrave në tregjet globale arriti rekord përgjatë viteve 2022-2023.

Rënie kanë shënuar edhe çmimet e mjeteve të transportit me 2.4% në krahasim me 2023-shin, të ndjekura nga pajisjet audiovizive me -2.4%, shërbimet ndaj mjeteve të transportit me -2.1% dhe çmimet e frutave që pësuan ulje me -0.9%.

Frutat janë përbërës i kryesor i inflacionit në vendin tonë, për shkak të peshës së lartë që kanë në shportën e mallrave. Zakonisht, çmimet e frutave rriten më shumë se mesatarja e inflacionit, por gjithashtu çmimi i tyre varet nga ecuria e prodhimit vendas. Në rastet e thatësirave ose ngricave, prodhimi i frutave shpesh dëmtohet si në vitin 2023 dhe çmimi i tyre rritet për shkak të furnizimeve nga importi.

Për 9 grupe të tjera të mallrave dhe shënimesh, çmimet janë rritur më pak se inflacioni mesatar 2.2% më 2024-ën. Grupe të tilla si këpucët për fëmijë, uji mineral, kafja, pijet jo-alkoolike, buka dhe lavastoviljet e shërbimet spitalore janë rritur më pak se inflacioni mesatar.

Shporta e mallrave të konsumit mujor në vendin tonë ende dominohet nga ushqimet. Të dhënat tregojnë se rreth 60 pikë për qind të inflacionit përbëhet nga rritja e çmimeve të ushqimeve.

Sipas INSTAT-it, ushqimet dhe pijet jo-alkoolike zënë 40% të shpenzimeve mujore në familjet shqiptare në vitin 2023. Shqipëria renditet e para në Europë për peshën e lartë të ushqimeve në shpenzimet mujore të banorëve të saj, një tregues i nivelit të lartë të varfërisë relative./Monitor