Në mesnatë, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi masat për t’u përballur me krizën ekonomike. Kaluan ligjet për uljen e akcizës për karburantet që merr shteti nga shitja e tyre, si dhe për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet, nga 18 në 10 për qind. Po ashtu, mori “OK”-ein ligji mbi uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, në 0 për qind. U siguruan 95 vota pro nga deputetët e të gjitha partive politike.
Një ditë më parë, një litër Diesel në Maqedoninë e Veriut u shit 97 denarë ndërsa benzina, 93 denarë. Për herë të parë, çmimi i naftës kaloi atë të benzinës. Tashmë, me miratimin e ligjeve dhe publikimin e tyre në Gazetën Zyrtare pritet ulje e çmimeve me 10 denarë.
Masat synojnë mbajtjen nën kontroll edhe të çmimit të energjisë elektrike e të ngrohjes qendrore, krahas heqjes së TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore bazë. Opozita maqedonase shprehu shqetësimin që këto masa nuk ishin miratuar më herët. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski:
Në vend që të shtireshin si të shqetësuar tani dhe të thërrisnin seanca urgjente, masa të tilla mund të ishin miratuar dy javë më parë, kur VMRO-DPMNE/ja paraqiti propozimet e saj. Kjo do të parandalonte panikun tek qytetarët.
VMRO-DPMNE/ja propozoi përgjysmimin e akcizës për karburantet, por ky propozim i opozitës ende nuk është vendosur në rendin e ditës së punimeve të Parlamentit. Dje, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të ndalojë për dhjetë ditë eksportin e mallrave të caktuara ushqimore. Vendimi përfshin eksportin e grurit, elbit, misrit, miellit, farave të lulediellit, si dhe vajrave.
Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e tregut vendor dhe e qytetarëve në kohë krize.
Jozyrtarisht, mësohet se vendimi lidhet me njoftimet se sasi të mëdha të grurit janë eksportuar në Greqi, ndërsa në Kosovë, sasi të mëdha të vajit. Sipas Shkupit zyrtar, “vendimi për kufizimin e eksportit është marrë edhe si përgjigje reciproke ndaj masave të ngjashme të vendosura nga disa vende të rajonit”. Në mesjavë, Serbia ndaloi eksportin e grupit dhe miellit për shtetet e rajonit përfshirë Maqedoninë e Veriut, kur ky vend ishte në pritje të importit të rreth 50 mijë tonëve grurë e miell.