Në premierën londineze të filmit “Wuthering Heights”, Margot Robbie rrëmbeu vëmendjen me një paraqitje dramatike dhe të pazakontë, që ndërthurte estetikën viktoriane me simbolikë të thellë historike.
Aktorja u shfaq me një fustan të guximshëm me korse dhe gërshetime flokësh, duke e kompletuar pamjen me një aksesor unik: një riprodhim të një byzylyku 175-vjeçar, i realizuar dikur nga flokët e motrave Brontë.
Aksesori, i vendosur në mënyrë delikate në korsenë që përputhej me ngjyrën e flokëve të saj bionde, përfaqësonte një traditë viktoriane përkujtimi për të dashurit e ndjerë, duke i dhënë pamjes një dimension emocional dhe artistik.
Veshja u konceptua nga stilistja Dilara Findikoglu, me të cilën Margot ka bashkëpunuar edhe më herët gjatë turneut promovues të filmit Barbie në Mbretërinë e Bashkuar, sipas Daily Mail.
Ndërkohë, regjisorja Emerald Fennell ka zbuluar detaje intriguese nga prapaskenat e filmit, përfshirë përdorimin e mëndafshit të stampuar me imazhe të venave dhe njollave të personazhit për dekorin e dhomës së Cathy-t.
Ajo gjithashtu krijoi “faltore” personale në dhomat e aktorëve, për t’i ndihmuar ata të lidhen emocionalisht me rolet e tyre.
Margot Robbie ishte ajo që iu afrua vetë Fennell-it për rolin e Cathy-t, pasi skenari i mbërriti kompanisë së saj LuckyChap Entertainment, duke treguar entuziazëm dhe vendosmëri për t’u bërë pjesë e projektit.
Regjisorja ka theksuar se filmi nuk është një adaptim klasik i romanit, por një interpretim i ndjenjave dhe emocioneve që historia e Emily Brontë i ka shkaktuar asaj personalisht.
Para premierës, Margot dhe bashkë-ylli i saj Jacob Elordi kanë ndezur rrjetin me paraqitjet e tyre plot kimi në tapetin e kuq dhe gjatë xhirimeve.
Elordi e ka përshkruar marrëdhënien e tyre profesionale si një “obsesion të ndërsjellë”, që ka ndikuar drejtpërdrejt në intensitetin e filmit.