Pas çdo kilometri piste, Mark Markez ose thyen rekorde, ose u afrohet momenteve që dukeshin të paarritshme, për shkak të dëmtimit të krahut të djathtë, një problem që i kushtoi disa sezone në Moto GP dhe për pak edhe karrierën.
Të dielën në Saksenring, në mbretërinë e tij, ai e shkatërroi kronometrin, duke arritur vendin e parë, xhiron më të shpejtë dhe kryesimin në çdo xhiro, pa harruar edhe të shtunën me “pole position” dhe triumf në Sprint.
Për Markezin, në Gjermani ishte fitorja e tij e nëntë në klasin premier, e 12- ta në total, pasi ka fituar një në 125 c dhe dy të tjera në Moto 2. Vetëm Xhakomo Agostini ka më shumë në një pistë në klasin e parë, me dhjetë sukseset e tij në Imatra të Finlandës. Pra, Mark tashmë ka një sfidë për vitin 2026. “A po negocion Saksenringu një rinovim? Nëse më duhet të investoj para, do ta bëj”, deklaroi me shaka spanjolli.
Por tashmë Markez e ka tejkaluar Agostinelin në një aspekt tjetër: pasi e barazoi atë me 68 fitore në klasin e parë në Asen, e la pas në Gjermani, duke shënjestruar triumfin e 69-të, ndërsa ndodhet 20 suksese pas Valentino Rosit. “Doktorin” mund ta arrijë këtë vit, por ai mund të barazojë 7 titujt në Moto GP të italianit dhe 9 në total. Ky “limit” është më afër: “Është e rëndësishme të vazhdoj të shijoj motorin, dhe këtë vit po e shijoj vërtet. Marrja e fitores në Çmimin e Madh të 200-të të Moto GP do të thotë se jam ende në formë shumë të mirë”, tha Markez pas triumfit të së dielës në Gjermani.
Për garën gjermane, ka pak për të thënë, sepse ai nuk u dha asnjë shans rivalëve. “Kaluam një fundjavë perfekte, pa e ekzagjeruar”, përmblodhi piloti i Dukatit, duke theksuar se ka mësuar nga Ostin dhe Herezi, ku ishte favorit dhe u rrëzua. Në fakt, edhe shiu i mëngjesit e ndihmoi, kishte më pak kontroll, dhe ai është gjithashtu më i miri në këtë. “Kur arrin në një pistë që të pëlqen, ajo përshtatet me stilin tënd të drejtimit dhe të përshtatet në mënyrë të përkryer, edhe duke pasur parasysh kushtet, sepse ishte e rrëshqitshme, e shtyn veten deri në limitin tënd, ndihesha rehat”, pranoi 32-vjeçari.