E ftuar në emisionin Goca dhe Gra, këngëtarja e njohur e muzikës popullore Maya ka ndarë një rrëfim të ndjerë për periudhat e vështira që ka kaluar në jetën personale.
Duke folur për ndarjen nga bashkëshorti, artistja tregoi se ka përjetuar momente të forta emocionale, të cilat i ka reflektuar edhe në këngët e saj.
Ajo pranoi se ka kaluar një periudhë zhgënjimi dhe lodhjeje, por ka zgjedhur t’i përjetojë dhimbjet në heshtje, larg syve të djalit të saj.
Kam një djalë të vogël… të gjitha momentet e trishta i mbajta për vete. Djali nuk i pa kurrë lotët e mi
-u shpreh ajo mes emocionesh, duke shtuar se muzika ka qenë një formë shërimi për të.
Sa i përket statusit të saj aktual, Maya sqaroi se ndarja nuk është finalizuar ende ligjërisht.
Nuk jemi bashkë, por zyrtarisht akoma të pandarë me gjyq. Ai është baba i djalit tim
-tha ajo, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia mbetet e ndërlikuar.
E pyetur për mundësinë e një ribashkimi, këngëtarja u tregua e rezervuar, duke e përshkruar ish-partnerin si një person “të vështirë” dhe “të pakuptueshëm”, ndërsa theksoi se prioriteti i saj mbetet mirëqenia e djalit.
Në fund, ajo foli edhe për sfidat si prind i vetëm, duke e përmbledhur me nota humori dhe force:
E hedh vallen si të dua, herë si burrë e herë si grua
Pavarësisht sfidave dhe dhimbjeve, Maya u shpreh se ka arritur ta “kurojë zemrën”, duke shtuar me optimizëm:
Tani zemra ime është në pranverë