Bota

“Mban ndezur flakën e demokracisë”, një venezueliane fiton Nobelin për Paqe!

Politikania Maria Corina Machado është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025, siç bëri të ditur Komiteti Norvegjez i Nobelit. Komiteti njoftoi se u përzgjodh për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe në lidhje me përpjekjet për tranzicion paqësor, nga diktatura në demokraci.

Kur autoritarët e marrin pushtetin, është jetike që të njihen mbrojtësit guximtarë të lirisë, të cilët ngrihen dhe rezistojnë.

Fitorja e María Corina Machados shënon një pikë kthese në historinë e gjatë e të trazuar politike të Venezuelës. E njohur ndërkombëtarisht për kundërshtimin e palëkundur ndaj regjimit autoritar të presidentit Nicolás Maduro, Machado mori çmimin për “mbrojtjen, me guxim dhe vendosmëri, të parimeve demokratike e të drejtave të njeriut, në një kontekst shtypjeje dhe censure sistematike”.

Lajmi ka shkaktuar reagime të ndryshme mes qeverive ndërkombëtare e autoriteteve venezueliane.

María Corina Machado lindi në Karakas, në vitin 1967. Eshtë inxhiniere industriale me profesion. Aktiviteti i saj politik filloi në fillim të viteve 2000 me themelimin e Súmate, një organizatë civile e angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve.

Në vitin 2011, hyri në Asamblenë Kombëtare si deputete për shtetin e Mirandës, duke u dalluar për mospajtimin e saj të hapur kundër qeverisë së Hugo Chávezit e më pas Nicolás Maduros. Në vitin 2013, themeloi Vente Venezuela, një parti liberale pro-demokracisë.

Në vitin 2023, siguroi mbështetje të gjerë në zgjedhjet paraprake të opozitës, por më pas iu ndalua të mbante poste publike për 15 vjet, një vendim i mbështetur në janar 2024 nga Gjykata e Lartë e Venezuelës. Vendimi për të nominuar Edmundo González Urrutian si kandidat presidencial i vitit 2024 është një pasojë e drejtpërdrejtë e përjashtimit të saj të detyruar.

Çmimi Nobel për Paqe, në vlerë rreth 1.2 milion dollarë do të ndahet edhe zyrtarisht në një ceremoni të organizuar në Oslo, më 10 dhjetor. Kjo ceremoni mbahet gjithmonë në të njëjtën datë, për të shënuar përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez, Alfred Nobel, me dëshirën e tij të cilit janë krijuar çmimet, që në vitin 1895.