Të paktën 81 persona u konfirmuan të vdekur në Teksasin qendror, ndërsa 41 të tjerë ende rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të 4 korrikut. 68 nga viktimat, përfshirë 28 fëmijë, u regjistruan në Qarkun Kerr, ku u përmbyt një kamp vajzash buzë lumit. Nga kampi Mystic, 11 persona nuk janë gjetur ende.
Zyrtarët presin rëndim të bilancit të viktimave, si edhe të tjera stuhi, që mund ta vështirësojnë edhe më shumë punën e ekipeve të shpëtimit. Tashmë po përballen me rreziqe, si nga gjarpërinjtë helmues teksa vazhdojnë kërkimet mes baltës e rrënojave.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se autoritetet do të bëjnë gjithçka që është e mundur, për të gjetur çdo person që ende mungon.
Ishte e tmerrshme të shihje se çfarë përjetuan ata fëmijë të vegjël, deklaroi Abbott, një ditë pasi vizitoi zonën.
Presidenti Donald Trump firmosi një dokument për gjendjen e jashtëzakonshme në Qarkun Kerr, duke aktivizuar Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Teksas. Gjithashtu, paralajmëroi se mund ta vizitojë këtë shtet të premten e 11 korrikut.
Po punojmë nga afër me përfaqësuesit nga Teksasi dhe është një gjë e tmerrshme ajo që ka ndodhur, absolutisht e tmerrshme.
Në Romë, Papa Leoni XIV drejtoi lutje të veçanta për viktimat në Teksas.