Aktualitet Bota

Mbledhja e parë e Bordit të Paqes, kryeministri Rama në Uashington!

Instituti amerikan i Paqes në Uashington sot pret takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump. Pjesë janë edhe Shqipëria e Kosova, të përfaqësuara nga kryeministri Edi Rama e presidentja Vjosa Osmani.

Rama do të firmosë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatë, me statusin vend anëtar themelues.

I krijuar për rindërtimin dhe përpjekjet humanitare në Gaza, Bordi do të njihet edhe me njoftimin për 5 miliardë dollarët që shtetet anëtare kanë ofruar për këtë qëllim.

Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur përmes disa postimeve në rrjetet sociale se takimi inaugurues do të zhvillohet më 19 shkurt, pra sot, në Institutin për Paqe të Trump-it në Uashington.

Do të bëjmë të ditur se vendet anëtare janë zotuar për më shumë se 5 miliardë dollarë për përpjekjet për rindërtim dhe ndihmë humanitare për Gazën e janë të përkushtuara për të angazhuar mijëra trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për të garantuar sigurinë dhe paqen për banorët e Gazës.

Bordi i Paqes u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, në prezencë të presidentit Trump. Kosova u përfaqësua nga presidentja Osmani.

Bordi ka 27 anëtarë. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka autorizuar këtë trup që të mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit në Gaza, si dhe të angazhohet në aspektin e qeverisjes e të rindërtimit. Themelimi përfshihej në planin 20-pikësh të Trump-it për paqen në Gaza.

Ky plan është pranuar nga Izraeli, si edhe nga Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore, në tetor të vitit 2025, për t’iu dhënë fund luftimeve dyvjeçare në Rripin e Gazës.