Skocisë i erdhi në “majë të hundës” dhe po tërheq vëmendje publike me një ndodhi disi të pazakontë. Kofi Offeh, 36 vjeç nga Gana, i vetëshpallur si “Mbreti Atehehe i Mbretërisë së Kubalës”, është larguar me forcë nga një kamp i improvizuar në pyjet pranë Jedburgh, pas ndërhyrjes së oficerëve të emigracionit.
Offeh kishte jetuar për muaj të tërë bashkë me Jean Gasho, 42 vjeç nga Zimbabve, të cilën e prezantonte si “Mbretëresha Nandi” dhe me Kaura Taylor, 21 vjeçare nga Teksasi, e cila përshkruhej si “shërbëtorja” e mbretërisë dhe gruaja e dytë e tij. Ata pretendonin se po “rimerreshin tokat e vjedhura nga paraardhësit e tyre 400 vite më parë” e mbijetonin falë donacioneve të qytetarëve.

Pas dy urdhrave për dëbim që refuzuan t’i pranonin, një gjykatë skoceze urdhëroi ndalimin e rikthimit të tyre në tokat private. Sot në mëngjes, policia dhe oficerët e emigracionit shkuan në kamp, duke i larguar Offeh dhe Taylor me pranga.
Taylor ishte raportuar e zhdukur nga familja në SHBA, e cila akuzon Offeh dhe Gasho se e kanë manipuluar për të lënë vendin. Në kamp, kryente punët e shtëpisë ndërsa çifti e paraqiste si pjesë të “mbretërisë”.

Grupi njihej në rrjete sociale ku postonte video me rituale, këngë e vallëzime dhe duke kërkuar “dhurata” nga vizitorët për t’u lejuar të flisnin me “mbretin”. Por, praninë e tyre e ka shoqëruar edhe një valë pakënaqësie e madhe nga banorët lokalë, të cilët i akuzuan për prishje rendi e zaptim të tokave.