Koalicioni i organizatave joqeveritare, ‘Demokracia në Veprim’ tha se 38.9% e votuesve me të drejtë vote kanë dalë për të votuar deri në orën 17:00 në Kosovë.
Eugen Cakolli nga kjo organizatë tha se rajoni i Prishtinës, ai me shumicë serbe dhe rajoni i Ferizajt kanë përqindjen më të madhe në raport me rajonet tjera.
“Dalja e votuesve deri në orën 17:00 në nivel vendi është 38.9%. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 1.9 milionë qytetarë. Sa i përket daljes së regjioneve ajo çfarë bie në sy janë dy rajone që kanë dalje mbi mesataren në nivel vendi, që është rajoni i Prishtinës me 46% dalje, rajoni i komunave me shumicë serbe, si dhe Ferizaj”, tha ai sipas mediave vendase.
“Dalje brenda mesatares janë Gjilani dhe Mitrovica e Jugut dhe disa rajone që kanë daljen më të ulët në krahasim me mesataren në nivel vendi janë rajoni i Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës”.
Ndërkaq sipas shifrave zyrtare të KQZ deri në 15:00, kur kanë mbërritur të dhënat për 91.31 të qendrave të votimit, pjesëmarrja ka qenë 28.2 %
Nëse krahasohet me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në ora 15:00 ishte më e vogël. Para katër vjetësh, deri në këtë orë ishte mbi 32%.
84 mijë kanë zgjedhur votim me postë. Kanë ardhur deri tani 50 246 vota në postë. Kanë nisur verifikimi i tyre, ndërsa 15 mijë qytetarë kanë ushtruar të drejtën e votës në seli diplomatike.
Dy milionë kosovarë janë thirrur për të zgjedhur parlamentin e ri dhe kabinetin e ri qeveritar në Kosovë. Zgjedhjet shihen dhe si një referendum për kryeministrin Albin Kurti, i cili është kritikuar edhe nga zyrtarë të administratës së mëparshme amerikane për veprimet, që janë cilësuar si të pakoordinuara, në veriun e Kosovës.
Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë. Të 4 kandidatët hodhën votën e bënë thirrje që qytetarët të shprehin vullnetin e të vendosin për qeverinë e 4 viteve të ardhshme.
Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.
Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe serbët lokalë, ndonëse kishin bojkotuar zgjedhjet prej nëntorit të vitit 2022, kur Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – pati dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Një pjesë e serbëve që financohen nga shteti i Serbisë, kanë votuar kolektivisht në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut. Vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u kërkoi serbëve sot që të votojnë për Listën Serbe.
28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar vendet në parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike. Brenda territorit të Kosovës janë 1,970,944 qytetarë me të drejtë vore, nga të cilët 125 852 mijë qytetarë votojnë për herë të parë.
KFOR-i ka rritur praninë e tij në Kosovë dhe ka shtuar më shumë forca për zgjedhjet. Një ekip prej 100 vëzhguesish nga BE-ja, 18 nga Këshilli i Evropës dhe rreth 1600 të tjerë nga organizata ndërkombëtare ose vendore do të monitorojnë gjithashtu votimin.