Një 38 vjeçar nga Burreli u arrestua pasi u kap teksa lëvizte në rrugën e Arbrit me automatik në makinë. Në bagazhin e makinës tip “BMW” që drejtohej prej tij, uniformat blu gjetën armën e zjarrit dhe municione luftarake që ishin futur në një thes.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas posedonte armë zjarri në automjetin me të cilin lëvizte, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat i operacionit të koduar “Armed” kanë lokalizuar dhe vënë në pranga shtetasin:
B. B., 38 vjeç, banues në Burrel, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Në rrugën e Arbërit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin “BMW”, me drejtues shtetasin B.B. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.