Në një takim të zhvilluar me bizneset e tregut artizanal në Krujë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar disa masa të reja mbështetëse për fermerët dhe bizneset e vogla në këtë zonë. Berisha ka theksuar angazhimin e tij për të ulur kostot për energjinë dhe ujin. Për më tepër, ai ka njoftuar se do të vendoset një kufizim për taksat që mund të vendosë bashkia, duke siguruar se ato nuk do të kalojnë 1% të xhiros së bizneseve.
Në disa mbështetje do ua bëjmë, energjinë do e ulim, energjinë do e zbresim nga 18 në 6 lekë. Ujin do e përgjysmojmë. Bashkisë do ia vëmë kufirin tek thana, nuk do mund të vërë taksa sipas qejfit, por kurrë më shumë se sa 1 përqind të xhiros. Do bëjmë gjithçka të promovojmë sa më shumë prodhimin vendas, por duke krijuar klimën më miqësore ndaj biznesit. Cilido që do të shohë përqendrimin më absolut të pushteteve, le të vijë në Krujë. 12 vite, përveç Bushit që investon për vete, 0 zero investime përveç betonit. Rruga ashtu siç ka qenë, ka mbetur. Të gjitha institucionet ia kanë hequr Krujës. Një rrugë, e premtuar dhe me projekt të gatshëm, ecën sa për të mos mbaruar ndonjëherë.
Kryetari i PD-së ka deklaruar se do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të krijuar një klimë miqësore ndaj biznesit dhe për të promovuar prodhimin vendas. Berisha tha se do të rrisë mbështetjen për fermerët përmes subvencioneve.
Po kështu fermerët e Krujës, po kështu biznesmenët e Krujës. Ne, paratë që marrim nga qytetarët, nga secili prej jush, ne do i kthejmë një pjesë të mirë tek ju për rroga, për pensione, dhe do vendosim minimumin jetik. Jam i sigurt se ne brenda vitit të parë do kemi një rritje të madhe të prodhimit. Made in Albania do të jetë synimi ynë më kryesor. Fermerët janë në kushte shumë të vështira. Subvencionet, edhe ato që jepte BE, i mori Edi Rama me akrabanë e vet.
Po pse them unë Edi Rama? Sepse BE e kapi në flagrancë ministren e Shqipërisë, e cila kishte abuzuar në mënyrë të rëndë me 130 milion euro të dhëna për fermerët shqiptarë. Në vend që t’ua jepte fermerëve, ua shpërndante oligarkëve, djegësit të Tiranës, ua shpërndante pra rrethit të Tiranës. Ne do 6-fishojmë subvencionet për çdo fermer. Ne heqim çdo barrierë jo ka 100 kokë, jo ka 10 kokë, jo ka kaq hektarë, aq hektarë. Çdo fermer do subvencionohet për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti, për çdo fidan të mbjellë. Do ketë kredi të buta, 80 përqind të interesave për fermerët dhe biznesin e vogël, do e mbulojë shteti. Do ndalohet me ligj importimi i inputeve bujqësore që nuk shiten në të paktën dy vende të BE. Sikundër i ilaçeve që nuk shiten në të paktën dy vende të BE.