Aktualitet

Me rritje tregu i bukës së freskët, 60 milion euro më 2024-ën!

Tregu i bukës dhe në përgjithësi, prodhimet e brumit po zgjerohen nga frekuentimi i turistëve të huaj. Të dhënat zyrtare të INSTAT-it treguan se vlera e shitjeve arriti në rreth 6 miliardë lekë në vitin 2024, e barabartë me 60 milion euro. Në krahasim me vitin 2023, u rrit me 5.7%.

Ky sektor u ndesh me vështirësi para dhe pas pandemisë, kur emigrimi nisi të rritej pas vitit 2015, sidomos në moshat e reja. Importet dhe konsumi i brumërave ranë disa vite rresht deri më 2022-shin, por më 2023-shin e 2024-ën nisi rritja prej flukseve të turizmit.

Turizmi po ndikon dukshëm në përdorimin e tyre, sidomos gjatë sezonit veror kur prurjet e vizitorëve janë më të mëdha. Restorantet, furrat artizanale, pastiçeritë dhe pikat e shërbimit të shpejtë përgjatë zonave turistike shesin më shumë bukë, byrekë, pica dhe ëmbëlsira tradicionale. Nga ana tjetër, hotelet dhe resortet rrisin ndjeshëm porositë për brioshë e produkte të ngjashme.

Kërkesa e larmishme e turistëve po shtyn prodhuesit të kombinojnë shijet vendase me ato ndërkombëtare, duke ofruar si byrekë e bukë misri, ashtu edhe brioshë, bageta dhe pica napolitane.

Rritja e konsumit gjatë muajve të pikut ka një efekt zinxhir te prodhuesit e miellit dhe rrjetet e shpërndarjes, që porosisin sasi më të mëdha e madje shtojnë importet për të përballuar fluksin.

Të dhënat nga INSTAT-i tregojnë se importet e grurit, pas rënies së vazhdueshme, u rritën me 18.8% në vitin 2023 dhe 16.7% më 2024-ën, duke ndjekur rritjen e turizmit. Kulinaria shqiptare është bazuar në brumëra, mish e bulmet. Shtimi i konsumit për shkak të vizitorëve ka sjellë në rritje importin e ushqimeve, pasi prodhimi vendas, përveçse është në tkurrje, është edhe i pamjaftueshëm.

Për bizneset, kjo periudhë është një mundësi për të forcuar të ardhurat, sepse vizitorët me fuqi blerëse më të lartë pranojnë çmime pak më të rritura për produkte artizanale e autentike me cilësi të lartë. Vitet e fundit, turizmi po shndërrohet në motor të rritjes së konsumit dhe nga ana tjetër, po nxit zgjerimin e ofertës me receta vendase edhe në furrat e pastiçeritë./Monitor