Nisi zbatimi i projektit për rikonstruksionin e tregut të fruta-perimeve në Vlorë, investim i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë rreth 115 milion lekë. Mjediset e tij sot u rrethuan për t’i hapur rrugë nisjes së punimeve nga firma zbatuese.
Por, procesi është shoqëruar me tensione dhe kundërshtime nga tregtarët, që refuzojnë zhvendosjen në hapësirat e përcaktuara nga Bashkia e Vlorës. Ata shprehen se vendet alternative janë larg qytetit dhe jo të përshtatshme për ushtrimin e aktivitetit tregtar.
Që prej muajit janar, tregtarët kanë zhvilluar disa protesta, duke kërkuar që bashkia të gjejë hapësirë brenda qytetit për sistemimin e përkohshëm gjatë kohës së investimit.
Sipas vendimit të Bashkisë Vlorë, një pjesë e tregtarëve do të zhvendosen pranë tregut të Çoles, ndërsa pjesa tjetër pranë atij të shumicës. Kjo zgjidhje është kundërshtuar vazhdimisht nga vetë tregtarët.
Forcat e Policisë Bashkiake sot ndaluan hyrjen e tregtarëve në ambientet e tregut, pasi hapësira do t’i dorëzohet kompanisë së ngarkuar me zbatimin e projektit.