Në sallën me shqiptarë në Londër u shënua një incident kur disa të pranishëm hodhën thirrje si Rama ik e Deri kur.. Fjalën e tij, Rama e nisi duke kërkuar ndjesë për protestuesit e theksoi se kjo ndasi e vjetër është drejt fundit. Ai akuzoi Partinë Demokratike se “nxit të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj”.
Ndjesë për një grusht të verbërish atje te dera, që të verbrit në Tiranë kishin marrë me vete librin e shtëpisë sonë e bërtisnin aty përballë. Me keqardhje por pa asnjë dyshim me vetëdijen që edhe ata janë pjesë e familjes sonë të madhe, unë kam besim se kjo ndasi e vjetër është drejt fundit, theksoi Rama. “Këtu erdhi për takim partia tjetër që nxit të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj.
Kryeministri Rama kërkoi votën e shqiptarëve në Britaninë e Madhe.
Kemi përballur sfida të rënda por sot dhe përditë është më mirë se një ditë më parë. E kam fjalën për forcën tuaj vendimmarrëse, përmes votës, për drejtimin dhe udhëheqjen e Shqipërisë drejt Europës së bashku, ku në fund edhe flamuri ynë kombëtar do të ngrihet i barabartë mes të barabartëve, si përfaqësi simbolike e shtetit tonë në BE.
Të dashur bashkëqytetare e bashkëqytetarë në Britani, ju sot nuk jeni thjesht bashkatdhetarë, jeni votues, që për herë të parë do merreni pjesë në zgjedhje duke ushtruar të drejtën e votës nga këtu ku jeni. Ju them juve e gjithë shqiptarëve se pranverën e ardhshme, unë e dua votën tuaj nga ky gadishull për t’ju bërë krenar në sy të botës.
Ishin futur këtu si diversantë, të cilët nuk janë fajtorë sepse përgjegjësinë për fajin e tyre e kanë ata, të cilët me votë pranverën e ardhshme duhet të largohen njëherë e mirë nga oborri i mexhlisit tonë ku ka vend për të qenë të ndarë në pikëpamje, ide, në shumë qasje për se si ta bëjmë më të mirë Shqipërinë por nuk mund të këtë vend për ndasinë që u shfaq sot këtu. Nuk ndalonin së shari në shembullin e atyre që e kanë bërë Parlamentin e Shqipërisë “Sokakun e të Marrëve” që shajnë e shajnë dhe predikojnë shkatërrim.
Ndër të tjera, kryeministri foli mbi një nismë ligjore për ata që u regjistruan si kosovarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Do të ndërmarrim një nismë ligjore për regjistrimin pa problem të të gjithë shqiptarëve që u regjistruan si kosovarë në Angli dhe rikthimin e emrit tuaj, të nënës e babës.
Rama shtoi se Britania nuk i dha aq shumë shqiptarëve sa ata i dhanë Mbretërisë së Bashkuar.
Ju shqiptarët e Britanisë së Madhe keni përfituar nga ky vend më pak se ka përfituar ai nga ju. Kjo nuk është retorikë por e vërtetë, që vlen për të gjithë shqiptarët e Europës. Ju meritoni vetëm mirënjohje nga ky vend. E ne do të kërkojmë vetëm respekt për çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë. Ju përballuat sfida të rënda por sot jeni më të fortë se kurrë më parë. Edhe Shqipëria ka përballuar sfida por sot është më e fortë.