Bota

Me tanke në Gaza, Izraeli përshpejton pushtimin tokësor, por ende jo i plotë!

Pushtim i kufizuar, ushtria izraelite brenda Gazës për të liruar pengjet, vret dy drejtues të Hamasit. Izraeli hyri me tanke e goditi 150 objektiva të Hamasit në Rripin e Gazës. Por, ushtria saktësoi se ky ende nuk mund të konsiderohet “pushtim i plotë tokësor”.  Banorët thanë se kaluan natën më të rëndë prej tre javësh që nga 7 tetori, ndërsa presidenti turk, Erdogan kërkoi që t’i jepet fund asaj që e cilësoi “çmenduri në Lindjen e Mesme”.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, (IDF) Daniel Hagari tha sot se “ushtria po punon si për të eliminuar Hamasin, ashtu edhe për t’i kthyer në Izrael pengjet që mbahen në Rripin e Gazës”.

Ne po veprojmë sipas objektivave që janë vendosur: shpërbërja e Hamasit, sigurimi i kufijve dhe një përpjekje kombëtare për kthimin e pengjeve. Kthimi i pengjeve në shtëpi është një përpjekje kombëtare me rëndësi të madhe dhe të gjitha aktivitetet tona operacionale e inteligjente synojnë realizimin e këtij objektivi.

Hamas denoncoi përpjekjen e Izraelit për të depërtuar në Rripin e Gazës me tanke. Në mbrëmje vonë, një zëdhënës i grupit njoftoi se pati negociata për të arritur një marrëveshje për armëpushimin e shkëmbimin e të burgosurve, por pas bastisjeve të fundit të Izraelit në Gaza, nuk ka më bisedime.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi projekt-rezolutën e paraqitur nga Jordania, në emër të vendeve arabe, për armëpushim humanitar në Gaza. Hamasi nuk dënohej. Ndërkaq, u refuzua drafti i Kanadasë që përmbante dënimin e sulmeve të militantëve.

Votimi jo-detyrues në Kombet e Bashkuara shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Izraeli: “Sot është një ditë që do të hyjë në histori me turp”, tha ambasadori i Tel Avivit në OKB, Gilad Erdan, ndërsa ministri i Jashtëm Eli Cohen shpjegoi se “Izraeli synon të veprojë për të eliminuar Hamasin ashtu siç veproi bota kundër nazistëve dhe ISIS-it”.