Aktualitet

Me uniforma dhe kalojnë kufirin në këmbë, veteranët e UÇK-së nisen masivisht drejt Tiranës për protestën!

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë nisur masivisht drejt Tiranës ku do të mbahet protesta pro UÇK-së.

Me autobusë e motora  dhe thirrjet “Uçk, Uçk”, veteranët e UÇK-së kanë kaluar kufirin në Morinë në këmbë teksa mbajnë në duar flamurë të Shqipërisë dhe të UÇK-së në duar.

Protesta do të nisë pasditen e sotme dhe është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Sot Tirana do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Qindra protestues me flamujt kuqezi dhe flamujt e UÇK-së janë nisur nga Kosova drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës e cila do të nisë në orën 17:00 në Sheshin “Skënderbej”. Protesta organizohet me moton “Liria ka emër” nga veteranët e UÇK-së.

Surpriza nga Kosova është pjesëmarrja e Presidentes Vjosa Osmani, e cila ka mbërritur në Tiranë dhe pritet t’i bashkohet tubimit në orët e pasdites. Në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, protestës pritet ti bashkohet edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së.

Nga politika shqiptare, protestës pritet t’i bashkohen edhe deputetët e PS, ndërsa PD ka refuzuar të marrë pjesë. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë.