Një takim jozyrtar, por vendimtar mes të dërguarve të Donald Trump dhe udhëheqësve të Hamasit ka ndikuar ndjeshëm në arritjen e marrëveshjes së paqes për Gazën, raporton Axios.
Takimi u zhvillua në fshehtësi të plotë të mërkurën e kaluar në Sharm el-Sheikh, me miratim personal të presidentit amerikan Donald Trump, i cili autorizoi Steve Witkoff dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Jared Kushner për të ndërmarrë kontakt të drejtpërdrejtë me Hamasin, nëse kjo do të ishte e nevojshme për finalizimin e marrëveshjes.
Një nga pengesat kryesore që ka vonuar procesin ishte frika e udhëheqjes së Hamasit se Izraeli do të riniste luftën sapo të liroheshin pengjet.
Për ta kapërcyer këtë shqetësim, Witkoff dhe Kushner u angazhuan të garantonin personalisht përfaqësuesit e Hamasit se Trump nuk do të lejonte një rikthim të luftimeve, për sa kohë Hamasi do të zbatonte kushtet e marrëveshjes.
Sipas Axios, pasditen e së mërkurës, rreth orës 11:00 me orën lokale, ndërmjetësit nga Katari vizituan Witkoff në hotelin “Four Seasons”, duke njoftuar se negociatat kishin hyrë në ngërç. Ata propozuan një takim të drejtpërdrejtë me udhëheqësit e Hamasit. “Nëse i takoni dhe u shtrëngoni dorën, marrëveshja do të arrihet,” mësohet të ketë thënë një zyrtar i lartë nga Katari.
Vetëm pak minuta më vonë, dy të dërguarit amerikanë u drejtuan drejt një vile tjetër brenda resortit, ku i prisnin krerët e shërbimeve të inteligjencës nga Egjipti dhe Turqia, zyrtarë të lartë nga Katari, si dhe katër udhëheqës të rangut të lartë të Hamasit, mes tyre edhe Khalil al-Hayya, i cili kishte mbijetuar nga një sulm izraelit në Doha, tre javë më parë.