Një ngjarje e rëndë u shënua në Meksikë, ku talenti i ri i boksit, Josue David Hernandez, mbeti i vrarë në moshën 20 vjeçare, gjatë një përpjekjeje për të mbrojtur motrën e tij nga një sulm me thikë në shtëpinë e familjes, pranë kryeqytetit meksikan, Mexico City.
Hernandez po qëndronte në banesë me katër motrat e tij kur u godit fatalisht gjatë një përleshjeje, ndërsa autoritetet dyshojnë se agresori mund të ketë qenë një i afërm i familjes.
Josue Hernandez ishte një nga talentet më premtuese të boksit meksikan. Ai kishte nisur stërvitjen në moshën 10 vjeçare duke fituar disa turne kombëtare në nivel amator. Ndërkaq, po përgatitej për debutimin e tij profesionist dhe pritej të vijonte një karrierë të suksesshme.
Vdekja e sportistit ka tronditur edhe trajnerin e tij, ish-kampionin Titan Rodriguez, i cili shpërndau një mesazh prekës pas lajmit:
Sot u zgjova me lajmin shkatërrues se ti nuk je më. Miku im, vëllai im, partneri im i vrapimeve… kishim kaq shumë ëndrra përpara.
Rodriguez shtoi se do të vazhdojë të punojë për të realizuar objektivat që kishin vendosur së bashku, duke e nderuar kujtimin e tij.
Vdekja tragjike e Hernandez-it ka shkaktuar dhimbje të thellë në komunitetin e boksit, ndërkohë që autoritetet vazhdojnë hetimet për të gjetur dhe arrestuar autorin e ngjarjes.