Aktualitet Politikë

PD kërkon interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë: Pacientët nga rrethet, në Tiranë edhe për receta!

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për atë që e cilëson si gjendjen reale të sistemit shëndetësor publik në vend. Në kërkesën e depozituar në Kuvend, deputetët ngrenë shqetësime për mungesën e një strategjie për modernizimin e shëndetësisë, problematikat në infrastrukturën dixhitale, mungesën e disa shërbimeve të specializuara dhe vështirësitë që hasin pacientët në aksesin ndaj trajtimit.

Sipas kërkesës, në QSUT dhe në spitalet rajonale mungojnë ende elementë bazë të një sistemi modern, si kartela elektronike mjekësore dhe sistemi elektronik për shkëmbimin e imazheve diagnostike. Deputetët theksojnë gjithashtu se në sistemin publik mungojnë disa procedura dhe teknologji të specializuara kardiake, ndërsa janë evidentuar edhe raste të mungesës periodike të barnave jetësore të emergjencës.

LEXO EDHE: Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në Komisionin e Ligjeve: Mbi 50 mijë procedime në vitin 2025!

Deputeti Kliti Hoti ka denoncuar edhe centralizimin e sistemit, duke theksuar se pacientët kronikë nga Shkodra dhe qarqe të tjera të vendit detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranës edhe për receta dhe autorizime rutinë për barna të rimbursueshme. Sipas tij, kjo situatë u krijon qytetarëve kosto shtesë dhe procedura burokratike për të përfituar trajtimin që u nevojitet.

Në përfundim të kërkesës, deputetët e PD kërkojnë që interpelanca me ministren e Shëndetësisë të zhvillohet në seancë plenare.

LEXO EDHE: Merr fund arratia e Gerd ‘Gjeneralit’, arrestohet në Belgjikë vrasësi i Naim Zyberit