Aktualitet

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në Komisionin e Ligjeve: Mbi 50 mijë procedime në vitin 2025!

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela po raporton në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e Prokurorisë për vitin 2025. Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë vitit të kaluar prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm trajtuan mbi 66 mijë materiale në shqyrtim, 8.55% më shumë krahasuar me vitin 2024.

“U ndoqën gjithsej mbi 50 mijë procedime që përbën një rritje prej 5.35% në krahasim me 24.  Mbi 27 mijë prej tyre janë procedime penale të regjistruara, 8.5% krahasim me 2024. Pati dhe mbi 22 mijë procedime të mbartura, dhe 184 janë procedime të rifilluara.  Numrin më të madh të procedimeve e ka pasur prokuroria e Tiranes me 36.62% ndjekur nga Durrësi me  9.5%, Korça, Shkodra dhe Fieri me 7% dhe më pak procedime rezultojnë Kukësi dhe Dibra me rreth 2% të totalit. Sa i përket koeficientit të kriminalitetit lidhur me procedimet e regjistruara për 100,000 banorë, në 2025 ky koeficient ishte 1145 ndërsa në 2024 ishte 1037. Raporti mes krimeve dhe kundërvajtjeve kriminale rezulton se 76% janë krime dhe 24% i përkasin kundërvajtjeve. Veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve, janë ato kundër rendit dhe sigurisë publike me 33% rritur 13% krahasuar me 2024. Vjedhja e pasurisë përbën 21% të numnrit të procedimeve të regjistrimeve me ulje 2%, veprat penale kundër familjes përbëjnë 7% me rritje prej 2%. Veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës janë 8% dhe kanë pësuar një rritje prej 51 përqind. Veprat penale kundër shkatërrimit të pronës përbëjnë 3% ato kundër shëndetit 3%” tha ai”

Po ashtu, sipas raportimit të Çelës, gjatë vitit 2025 janë ngritur akuza për 10.423 procedime me mbi 12 mijë të pandehur. Mbi 10 mijë të pandehur janë dënuar, duke shënuar një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2024.

Gjatë vitit të kaluar janë filluar kryesisht 161 procedime penale. Peshën më të madhe e zënë veprat penale kundër pasurisë me mbi 42%, të ndjekura nga veprat kundër rendit dhe sigurisë publike me 21.12%, veprat penale kundër veprimtarisë shtetërore me mbi 14.28% dhe ato që prekin zgjedhjet e lira me 6.21%.

Sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë referuar në SPAK 56 procedime dhe referime, nga të cilat janë pranuar 41.