Pavarësisht rrezikut të protestave, Uashingtoni festoi dhe zhvilloi paradën ushtarake me rastin e 250-vjetorit të Ushtrisë Amerikane, një event që dje përkoi me 79-vjetorin e lindjes së presidentit Donald Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë shoqërohej nga Zonja e Parë, Melania.
Donald Trump mbajti një fjalim në paradën për 250-vjetorin e ushtrisë dhe falënderoi trupat:
Ju e bëni popullin amerikan krenar. I gjithë vendi ju falënderon.
Ndërkohë, u njoftua se shtetrrethimi në Los Angeles, në fuqi që nga e marta e kaluar në disa zona të qytetit do të mbetet në fuqi gjatë gjithë fundjavës, me autoritetet e përgatitura për protestat e shumta të planifikuara në favor të emigracionit.
Sherifi i Qarkut të Los Angeles-it, Roberto Luna, foli për të paktën 30 demonstrata të planifikuara që mund të kërkojnë vendosjen e forcave policore.
Ne nuk do të lejojmë dhunë, akte vandale ose kërcënime për sigurinë publike, u shpreh shefi i Policisë, Jim McDonell.
Priten deri në 200 demonstrata në të gjithë vendin. Rreth 60 persona, përfshirë veteranë dhe anëtarë të familjeve të ushtarakëve, u arrestuan jashtë Kapitolit në Uashington pasi kaluan një barrierë policore. Ata kishin planifikuar një protestë ulur për të kundërshtuar vendosjen e Gardës Kombëtare dhe Marinsave në Los Angeles, një vendim i marrë nga presidenti Donald Trump.
Tensione pati në Los Angeles gjatë protestës “No Kings”. Sipas raportimeve të mediave amerikane, policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve. Momente tensioni edhe në New York, ku protesta u zhvillua pranë zyrave të ICE-së, agjencisë që po kryen operacionet kundër emigrantëve në Shtetet e Bashkuara.