Bota

Protestat pro-emigrantëve në Los Angeles, Trump: Arrestoni personat e maskuar!

Arrestoni njerëzit që mbajnë maska dhe bëjeni tani!

​​Ky është urdhri më i fundit i presidentit amerikan në një reagim në rrjetet sociale lidhur me protestat pro-emigrantëve në Los Angeles.  Donald Trump kërkon ndalimin e njerëzve që shfaqen me fytyra të mbuluara.

Situata në Los Angeles është vërtet e keqe. Sillni trupat!

Jim McDonnell, i cili drejton policinë në Los Angeles vuri në dukje se protestuesit po bëhen shumë më agresivë dhe ai duhet ta rivlerësojë situatën në lidhje me dërgimin e trupave. Ai duhet ta bëjë këtë, tani!!! Mos i lini këta banditë të shpëtojnë pa u ndëshkuar. Bëjeni Amerikën të Madhe Përsëri, shkroi sërish Trump.

Të paktën 27 protestues u arrestuan gjatë përleshjeve me policinë në qendër të Los Angeles-it. Kryepolici Jim McDonnell, i cituar nga CNN:

Puna jonë nuk është të ndajmë komunitetet ose të politizojmë zbatimin e ligjit. Detyra jonë është thjesht t’i mbajmë të gjithë të sigurt.

Policia amerikane, po ashtu njoftoi se 60 persona u arrestuan në përleshjet që shpërthyen në San Francisko gjatë protestave kundër politikave të qeverisë për emigracionin.

Los Angeles është në flakë, me makina të djegura e rrugë të bllokuara për shkak të përleshjeve mes policisë amerikane dhe atyre që protestojnë prej tre ditësh kundër autoriteteve të emigracionit që kanë arrestuar qindra njerëz javët e fundit. Donald Trump ka vendosur të përdorë grushtin e hekurt duke dërguar Gardën Kombëtare dhe akuzoi guvernatorin demokrat Njusëm për “paaftësi”.

Sipas CNN-it, forcat e vendosura në Los Angeles përdorën shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit. Policia i paralajmëroi demonstruesit se “dhuna do të përballet me forcë proporcionale”.