Kashmiri, i administruar nga Pakistani, iu bëri thirrje banorëve që janë afër kufirit de facto me pjesën indiane të rajonit, të grumbullojnë ushqime, teksa tensionet mes dy rivalëve vijojnë të rriten pas një sulmi vdekjeprurës muajin e kaluar. India fajëson Pakistanin për sulmin ndaj civilëve dhe turistëve nga një person i armatosur e që u shënua në pjesën e Kashmirit të administruar nga India, më 22 prill, duke lënë të vrarë 26 persona. Islamabadi zyrtar i mohon këto akuza.
Dy shtetet që mbajnë armë bërthamore, kanë këmbyer zjarr për tetë netë radhazi përgjatë vijës së kontrollit, kufirit de facto, sipas ushtrisë indiane dhe dy fqinjët kanë ndërmarrë masa diplomatike ndaj njëri-tjetrit.
Janë dhënë udhëzime për të grumbulluar furnizime ushqimore për dy muaj në 13 zona përgjatë vijës së kontrollit, u shpreh sot kryeministri i pjesës së Kashmirit që administrohet nga Pakistani, Chaudhry Anwar ul Haq.
Po ashtu, qeveria rajonale ka krijuar një fond të emergjencës në vlerë 3.5 milion dollarësh për të siguruar furnizim “me ushqime, ilaçe dhe gjëra të tjera elementare” për 13 zonat, tha ai.
Sulmi në Kashmirin indian dhe tensionet që pasuan, përfshirë shpërthime e mbyllje të kalimeve kufitare, kanë rritur frikën për një përshkallëzim më të madh mes Pakistanit dhe Indisë. Kryeministri indian, Narendra Modi, të martën e kaluar i dha “liri të plotë operacionale” ushtrisë sa i përket përgjigjes ndaj sulmit.
Nga ana e tij, shteti pakistanez ka mohuar çdo përfshirje duke vënë në dukje se ka “të dhëna të besueshme” se India po përgatitet për një sulm ushtarak dhe u zotua se do të kundërpërgjigjet. India dhe Pakistani, që pretendojnë se Kashmiri u takon në tërësi, kanë luftuar për këtë territor në Himalaje duke nisur që nga përfundimi i sundimit britanik, në vitin 1947.