Botë e Çuditshme Tech

Mësoni sa miliona gjermanë nuk kanë hyrë kurrë në internet!

3.8 milionë gjermanë nuk kanë lundruar kurrë në internet, për të komunikuar me miqtë online apo për të shkruar një e-mail. Edhe pse shumica e gjermanëve kanë prej kohësh një modem të instaluar në shtëpi për të pasur akses të shpejtë në internet, rreth 3.8 milionë vetë nga mosha 16 deri në 74 vjeç nuk kanë hyrë kurrë në internet. Mospërdorimi i internetit vihet re sidomos tek të moshuarit.

Kështu sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave në Wiesbaden një ndër 5 vetë në moshat 65 deri në 74 vjeç nuk kanë hyrë kurrë online. Kurse në grupmoshën midis 55 dhe 64 vjeç, 8% nuk kanë vizituar kurrë një faqe interneti. Ndërsa përqindja e të rinjve nën 55 vjeç që nuk kanë vizituar kurrë një faqe interneti apo shkarkuar diçka nga interneti është 3%.

Sipas statistikave të Eurostat mesatarja e personave që nuk kanë përdorur në BE internetin në vitin 2021 ishte 8%, megjithatë mes vendeve ka dallime të mëdha. Në Irlandë, vendet skandinave, Holandë dhe Luksemburg, përqindja e moshave 16-74 që nuk kanë përdorur kurrë internetin është më pak se 5%. Përqindjet më të larta të personave që nuk kanë përdorur internetin janë regjistruar në Greqi me 20%, Bullgari me 17% dhe Portugali me 16%. Më shumë se një e treta e popullsisë së botës, gjithsej 2.9 miliardë vetë nuk ka fare akses në internet.

Këto statistika janë pjesë e një raporti të ri të kryer nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit i Kombeve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, u zbulua një rritje e shpejtë e lidhjeve të reja globale të internetit, e cila u përshpejtua nga pandemia. Sipas raportit, numri i njerëzve që përdorin internetin në mbarë botën u rrit nga 4.1 miliardë në 2019 në 4.9 miliardë në 2021.