Sport

Messi sot për herë të parë kundër ‘Tre Luanëve’, statistikat flasin për Anglinë! Argjentina i kujton ‘Dorën e Zotit’

Sot në orën 21:00 do të mësohet finalisti tjetër i Kupës së Botës 2026, teksa Anglia do të përballet me Argjentinën në stadiumin e Atlantës për raundin gjysmëfinal të turneut. Të dyja kombëtaret kanë zhvilluar paraqitje shumë të mira në këtë turne, ndërsa për objektiv kanë vetëm pjesëmarrjen në finale.

Mungesat e të dyja kombëtareve

Anglia: ‘Tre Luanët’ vazhdojnë të kenë mungesë opsionesh natyrale në krahun e djathtë të mbrojtjes. Jarell Quansah është i pezulluar, ndërsa Reece James nuk pritet të rrezikohet nga minuta e parë për shkak të historikut të tij me lëndimet. Djed Spence mund të rikthehet në formacionin titullar, megjithëse Ezri Konsa mund të vazhdojë të luajë në atë rol. Ndërkohë, John Stones pritet të formojë dyshen e qendër së mbrojtjes me Marc Guehi.

Jordan Henderson do të mungojë pasi iu nënshtrua një operacioni në kyçin e dorës, pas lëndimit që pësoi në Mexico City. Declan Rice nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë fizike në ndeshjen ndaj Norvegjisë për shkak të një sëmundjeje, por Thomas Tuchel shpreson që mesfushori i Arsenalit të jetë gati për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë përkrah Elliot Anderson.

Argjentina: Kampionët në fuqi pritet të zbresin në fushë me të njëjtin formacion që mposhtën Zvicrën, pasi Lionel Scaloni nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha. Lionel Messi do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë në sulm, ndërsa trajneri argjentinas duhet të zgjedhë mes Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez për ta shoqëruar në repartin sulmues.

Në mesfushë, Leandro Paredes mund ta ruajë vendin e titullarit për t’i dhënë ekipit më shumë ekuilibër në fazën mbrojtëse, pavarësisht ndikimit pozitiv që pati Thiago Almada pasi u fut në fushë nga stoli në ndeshjen e kaluar.

Historiku i përballjeve

Në gjithë historinë mes tyre, Anglia dhe Argjentina janë përballur 14 herë. Gjashtë janë fitore të Anglisë, tre të Argjentinës, ndërsa pesë sfida janë mbyllur në barazim. 24 gola ka shënuar Anglia në portën e Argjentinës, kundrejt 19 të pësuarve.

Pesë herë janë përballur më parë të dyja skuadrat në Kupat e Botës. Në vitin 1962 Anglia fitonte 3-1 në fazën e grupeve, por fitorja më e madhe e ‘Tre Luanëve’ ishte ajo e vitit 1966, 1-0 në gjysmëfinale, teksa më pas ngriti trofeun e vetëm.

Argjentina u përgjigj në Botërorin e vitit 1986 duke fituar 2-1 në gjysmëfinale me dy gola të Maradonës, njëri prej tyre i devijuar me dorë dhe i quajtur si ‘Dora e Zotit’. Në Botërorin që atë vit u zhvillua në Meksikë, Argjentina në fund doli triumfuese.

Në Kupën e Botës të vitit 1998 të dyja skuadrat u përballën në fazën e 1/8-ave, me Argjentinën që fitoi 6-5 me penallti. Në 2002 Anglia fitoi 0-1 kundër Argjentinës në fazën e grupeve.

Ndeshja e fundit mes tyre daton më 11 nëntor 2005 (afro 21 vite më parë), një miqësore që u fitua 3-2 nga Anglia. Lionel Messi ishte grumbulluar në atë duel, por nuk mori minuta. Ndeshja e sotme do të jetë e para për Lionel Messin që do të luajë kundër Anglisë.

Forma

Anglia ka siguruar një tjetër gjysmëfinale të madhe, të katërtën që nga viti 2018 dhe në këtë përballje vjen pas katër fitoreve radhazi. Megjithatë, problemet në mbrojtje kanë qenë të pranishme gjatë gjithë turneut dhe vazhdojnë të jenë një shqetësim për Thomas Tuchelin. Edhe Argjentina ka treguar karakter për të arritur deri në këtë fazë, duke kaluar ndeshje dramatike ndaj Kepit të Gjelbër, Egjiptit dhe Zvicrës, ndërsa ka zgjatur serinë e fitoreve në 13 ndeshje radhazi.

Lionel Messi tashmë ka regjistruar shifra dyshifrore për kontributet në gola për Kupën e Dytë të Botës radhazi, ndërsa fuqia sulmuese e Argjentinës e bën skuadrën kampione të botës një provë shumë të vështirë për anglezët.

Anglia ka cilësi të mjaftueshme në repartin sulmues me Harry Kane dhe Jude Bellingham për ta mbajtur ndeshjen të ekuilibruar, por përvoja e Argjentinës në turnetë e mëdhenj dhe balanca më e mirë në lojë mund t’i japin ekipit të Lionel Scalonit një avantazh në këtë përballje.

Të martën Spanja fitoi 2-0 kundër Francës duke siguruar një vend për finalen e 19 korrikut.