Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, zyrtarisht nuk janë më burrë e grua. Me vendim gjykate, çifti i politikanëve u divorcua, duke i dhënë fund martesës rreth 27 vjeçare. Seanca u mbajt paradite pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, me objekt: “Zgjidhje martese”, me paditës Metën dhe të paditur Kryemadhin. Të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij.
Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi zgjidhjen e martesës midis Metës dhe Kryemadhit, të cilët janë prindër të tre fëmijëve. Gjykata e Tiranës njoftoi:
Nisur nga interesi i medias, ju bëj me dije si më poshtë: Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij. Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi : Zgjidhjen e marteses midis paditesit I.M dhe te paditures M.K.
Kërkesa për divorc u depozitua nga Ilir Meta më 20 qershor të vitit të kaluar dhe prej kohësh nuk jetonin më bashkë. Të dy janë nën hetim e ndaj tyre rëndojnë tre akuza: pastrim parash, korrupsion e mosdeklarim i pasurive në çështjen CEZ-DIA e lobimin e LSI-së në SHBA. Po ashtu, përballen me hetim pasuror.
Çifti pati lidhur kurorë më 29 tetor 1998, me llokumet e celebrimit në fshehtësi e me pak dëshmitarë në Bashkinë e Tiranës. Kurorëzimin e drejtoi kryebashkiaku i kohës, Albert Brojka. Meta mbante postin e zv/kryeministrit në qeverinë “Majko” dhe ishte deputet. Monika Kryemadhi drejtonte Forumin Rinor të socialistëve.