Udhëzimet e përditësuara të Metas për gjuhën e urrejtjes lejojnë përdoruesit t’i quajnë njerëzit të sëmurë mendorë, bazuar në seksualitetin ose identitetin e tyre gjinor. Udhëzimet, të cilat u përditësuan të martën, ende nuk lejojnë përdoruesit e Facebook, Instagram ose Threads të fyejnë njerëzit bazuar në shëndetin e tyre mendor përveç në këtë skenar të ri, specifik. Udhëzimet tani thonë: “Ne i lejojmë pretendimet për sëmundje mendore ose anomali kur bazohen në gjini ose orientim seksual, duke pasur parasysh diskursin politik dhe fetar rreth transgjinorëve dhe homoseksualëve”.
Tani, Stonewall, shoqata më e madhe LGBT+ në Mbretërinë e Bashkuar ka njoftuar se ka kërkuar një takim me Metan për të ngritur shqetësimet e saj. “Urrejtja dhe dezinformimi në internet dëmton mënyrën se si shoqëria i shikon dhe trajton grupet e margjinalizuara dhe minon kohezionin shoqëror”-tha shefi ekzekutiv i Stonewall, Simon Blake. “Qasja e Metas e vendos politikën mbi njerëzit kur shumë janë tashmë të shqetësuar për toksicitetin e diskursit online, duke rrezikuar më tej ndarjen në vend që të nxisë komunitetin”-shtoi ai.
Bëhet e ditur se përditësimi i udhëzimeve vjen pasi Meta ndryshoi mënyrën se si moderon fjalimin në platformat e saj. Shefi ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg njoftoi të martën se kompania do të heqë kontrollet e fakteve të palëve të treta. Rregullat që ndalojnë fyerjet në lidhje me pamjen e një personi bazuar në racën, përkatësinë etnike, origjinën kombëtare, aftësinë e kufizuar, përkatësinë fetare, kastën, orientimin seksual, seksin, identitetin gjinor dhe sëmundjet serioze janë hequr gjithashtu. “Platformat e Metas janë ndërtuar për të qenë vende ku njerëzit mund të shprehen lirshëm. Kjo mund të jetë e çrregullt”-tha kompania në një deklaratë.
Kompania Meta, njoftoi gjithashtu se po heq programin e saj për verifikimin e fakteve nga një palë e tretë dhe se do ta zëvendësojë atë me Shënimet nga Komuniteti (Community Notes), të shkruara nga përdoruesit. Ky do të jetë një model i ngjashëm me atë të platformës sociale X të miliarderit Elon Musk. Duke e filluar nga Shtetet e Bashkuara, kompania Meta do ta mbyllë programin e saj për verifikimin e fakteve në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm. Kompania tha se vendosi t’i japë fund këtij programi, pasi vetë ekspertët që verifikonin faktet kishin paragjykimet e tyre dhe sepse ishte shtuar shumë sasia e materialeve që duheshin verifikuar.