Bota

Meteori shpërthen në atmosferën e Tokës me forcën e 300 ton tritol!

Një meteor, i cili ishte në rrugën e përplasjes me Tokën shpërtheu mbi verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar zhurma të forta që u dëgjuan në rajon si një shpërthim i barabartë me 300 ton tritol. Njoftimi u dha nga Agjencia Hapësinore, NASA. Topi i zjarrit u shpërbë mbi veri-lindjen e Massachusetts dhe jug-lindje të New Hampshire në orën 14:06 (20:06 sipas orës shqiptare), deklaroi në një komunikatë për “AFP” Jennifer Dooren, zëvendës shefe e komunikimit të agjencisë hapësinore amerikane.

“Ky top zjarri nuk ishte i lidhur me asnjë shi meteorësh aktiv në atë moment, por ishte një objekt natyror dhe jo rikthim i mbetjeve hapësinore apo i një sateliti”, tha Dooren. “Vlerësohet se energjia e liruar në momentin e shpërbërjes ishte e barabartë me rreth 300 ton tritol, gjë që shpjegon zhurmat e forta”, shtoi ajo.

Dooren saktësoi se: “Meteori udhëtonte me 75 mijë milje në orë (mbi 120 mijë km/h) në një lartësi prej 40 miljesh kur u shpërbë”. Banorët e zonës u alarmuan nga zhurmat e forta të papritura, ndërsa përdoruesit në rrjetet sociale raportuan se ato ishin aq të forta sa kishin bërë të dridheshin shtëpitë. Në vitin 2013, një top zjarri kishte kaluar në qiellin e Chelyabinsk në Rusi. Asteroidi, me madhësi sa një shtëpi, shpërtheu në një lartësi prej 22 kilometrash, duke lëshuar një valë goditëse të barabartë me 440 mijë ton tritol, sipas NASA-s. Shpërthimi theu xhamat në një zonë prej mbi 518 kilometrash katrorë dhe plagosi më shumë se 1.600 persona, kryesisht nga copëzat e xhamit.