Aktualitet

Metodat e reja, ja si “Çunat e Londrës” sjellin në Shqipëri paratë e drogës!

Daily Mail i ka kushtuar artikull mënyrës si shqiptarët dërgojnë drejt atdheut, paratë e fituara në rrugë kriminale. Bandat shqiptare rekrutojnë turistë të rremë, për të dërguar në Shqipëri para të pista që i investojnë për të bërë jetë luksoze. Në fund të vitit të kaluar, ka patur pothuajse 1,100 shqiptarë në burg, përfshirë vrasës, përdhunues e drejtues të mafies ballkanike. Vetëm tre ishin gra.

Përveç kontrollit të tregtisë së drogës, bandat shqiptare që terrorizojnë Mbretërinë e Bashkuar, gjithashtu janë të dënuar për vrasje, krime seksuale, pastrim parash e trafikim njerëzish.

Prej vitesh me radhë, Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) ka paralajmëruar për kërkesën e madhe që paraqesin bandat shqiptare, të njohura për profesionalizmin e disiplinën e tyre, si dhe për taktikën e egër për të mbajtur konkurrencën larg. Bandat shqiptare kanë arritur të dominojnë tregun e drogës në Britani, duke negociuar drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane e nënvlerësuar rivalët, për të mbushur rrugët e Britanisë me kokainë të lirë.

Rryma e parave që kthehen në Shqipëri është shqetësim në rritje për NCA-në, që vitin e kaluar nënshkroi marrëveshje me SPAK-un, që të hetojë pasuritë e shqiptarëve të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2010, vetëm 1.5% e shtetasve të huaj të burgosur në Angli dhe Uells ishin shqiptarë.

Por, deri në fund të vitit të kaluar, shqiptarët përbënin 10.6%, më shumë se çdo komb tjetër. Rritja e numrit të shqiptarëve është pjesërisht për shkak të numrit të madh që kalojnë Kanalin, me gjithsej 12,685 që në Britani shkuan me anije të vogla në vitin 2022. Por, shifra ra që kur ministrat firmosën një marrëveshje për transferimin e të burgosurve me qeverinë shqiptare më 2022-shin.

Kur Rishi Sunak ishte kryeministër, 200 persona u deportuan në këmbim të 8 milion paundëve për modernizimin e sistemit të burgjeve. Partia Laburiste ka premtuar t’i deportojë më shpejt kriminelët e huaj. Sipas saj, “nuk mund të jetë e drejtë” që tatimpaguesit të paguajnë për këtë.

Mendohet se kushton rreth 40,000 paund në vit për të akomoduar çdo të burgosur, çka sugjeron se Mbretëria e Bashkuar shpenzon 44 milion paund për të mbajtur kriminelët shqiptarë në burgje. Grupet e krimit janë të njohur edhe për fshehjen e parave në furgonët që udhëtojnë mes dy shteteve.

Një burim nga komuniteti shqiptar në Britani tha se numri i madh i furgonëve dhe kamionëve që kalojnë çdo ditë në Dover, bën që kriminelët të transportojnë para të fshehura mes mallrave.

Në një rast, në vitin 2021, policia sekuestroi 123,000 paund të fshehura në një furgon që transportonte mallra nga Britania.
Olsi Sefolli u arrestua në Shqipëri pasi u gjetën 10 pako brenda një furgoni të bardhë tip “Mercedes”.

Ai u akuzua për pastrim parash që lidhen me aktivitete kriminale dhe për mosdeklarimin e parave në kalimin kufitar. Policia gjeti edhe armë të fshehura në furgon.

Sipas policisë shqiptare, furgoni i përkiste një kompanie me bazë në Luton, me pronar Guxim Sefollin, i cili i tha gjykatës se kishte emigruar në vitin 2010, duke punuar 7 vjet në tregun e zi, se nuk kishte dokumente. Paratë, planifikonte t’i investonte në një apartament në Vlorë.

Ndërkaq, pranoi se i kishte fshehur paratë në furgon dhe se kushëriri i tij Olsi, nuk qe në dijeni të shumës. Ka mbi 30 kompani të regjistruara në Britani që transportojnë artikuj si rroba e mobilje në Shqipëri. Një burim nga komuniteti shqiptar në Britani deklaroi se është e njohur që disa prej këtyre kompanive trafikonin para jashtë vendit.

Në një tjetër rast, në portin e Barit në Itali, policia zbuloi 225,000 paund të fshehura në tavanin e një furgoni. Agjencia e lajmeve, Ansa raportoi se paratë ishin të mbyllura në qese vakumi dhe shoferi do të udhëtonte drejt Shqipërisë.

Në Bari, punonjësit e doganave thanë se “makinat me targa britanike dhe shoferë shqiptarë shpesh ndalohen në port”, duke shtuar se udhëtime të tilla bëhen “javë pas jave”.

Një tjetër mënyrë që bandat përdorin për të trafikuar paratë jashtë Britanisë është duke punësuar korrierë që të paraqiten si turistë.

Korrierëve iu jepen para për të bërë udhëtimin dhe grumbuj parash që arrijnë deri në 20,000 paund për t’i marrë me vete në Shqipëri. Në vitin 2018, në Dover u kapën Suzana Sokolli e Xhino Mata, nënë e bir nga Shqipëria me 40,000 paund të fshehura. Ata u dënuan me burg, mbi 3 vjet.