Pas shitjes së aksioneve në ekipin Charlotte Hornets, Michael Jordan dukej se ishte larguar përfundimisht nga NBA-ja. Por legjenda e basketbollit po rikthehet sërish në botën e basketit, këtë herë në një rol të papritur.
Sipas njoftimeve zyrtare, “Air Jordan” do të jetë “partner special” në mbulimin televiziv të NBA-së nga NBC, duke nisur nga vjeshta. Ky rikthim vjen në kuadër të marrëveshjes së re 11-vjeçare mes NBC dhe NBA, e cila rikthen rrjetin në transmetimin e ndeshjeve pas një mungese që nga viti 2002.
Edhe pse detajet mbi rolin e saktë të Jordanit nuk janë bërë të ditura, pritet që prania e tij të sjellë një dimension të ri në analizat televizive, në një atmosferë ku prej vitesh kanë spikatur figurat si Shaquille O’Neal dhe Charles Barkley.
Ndërkohë që interesat e Jordanit në biznes përfshijnë edhe ekipin e tij të NASCAR, ky angazhim me NBC dëshmon se lidhja e tij me NBA-në nuk është shuar kurrë plotësisht.