Microsoft ka shtyrë për në vitin 2026 fillimin e prodhimit masiv të çipit të vet të ri me Al, një projekt që synon të forcojë kapacitetet e tij të brendshme në fushë dhe të ulë varësinë nga prodhuesit e jashtëm si Nvidia. Çipi i njohur me emrin e koduar “Braga” do të përdoret në qendrat e të dhënave të Microsoft për të përballuar kërkesat gjithnjë në rritje për përpunim të AI. Kjo shtyrje vjen për shkak të ndryshimeve të fundit në dizajn si dhe sfidave në ekipin e zhvillimit, gjë që ka ndikuar në afatet kohore të projektit.
Bëhet e ditur se ky hap është pjesë e strategjisë më të gjerë të Microsoft për të krijuar infrastrukturë teknologjike më të qëndrueshme dhe më të personalizuar për shërbimet e saj cloud, përfshirë Azure dhe Copilot. Me zhvillimin e çipeve të veta, kompania synon të fitojë më shumë kontroll mbi kostot dhe të rrisë performancën në aplikacionet e AI që po dominojnë tregun. Ndërkohë, konkurrentët si Amazon dhe Google kanë përparuar me çipet e tyre të gjeneratës së re; Amazon me Trainium3 dhe Google me TPU v5 çka shton presionin mbi Microsoft për të mos mbetur prapa në këtë garë të teknologjisë së lartë.
Ndërkaq, Microsoft u ka ofruar falas qeverive evropiane një program sigurie kibernetike, për të forcuar mbrojtjen e tyre kundër kërcënimeve kibernetike, përfshirë ato të përforcuara nga inteligjenca artificiale. Pas një rritjeje të sulmeve kibernetike në Evropë, shumë të lidhura me aktorë të sponsorizuar nga shtete si Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia, programi synon të rrisë ndarjen e inteligjencës mbi kërcënimet e bazuara në AI dhe të ndihmojë në parandalimin dhe ndërprerjen e sulmeve.