Miley Cyrus ka zbuluar një detaj të papritur nga jeta e saj private, duke treguar se ende ruan fustanin që kishte veshur ditën kur takoi për herë të parë ish-bashkëshortin e saj, Liam Hemsworth.
Në një intervistë për Vogue, ku promovonte projektin e saj të ri me Maybelline, këngëtarja 32-vjeçare rrëfeu se ka një hapësirë të veçantë ku mban kujtime nga faza të ndryshme të jetës – që nga fustane e çmime, deri te letra personale.
Kam ende fustanin nga takimi ynë i parë. Nuk dua t’i fshij ato kujtime, sepse janë pjesë e imja
-tha Cyrus.
Miley dhe Liam u njohën në vitin 2009 gjatë xhirimeve të filmit “The Last Song”, duke nisur një marrëdhënie që kaloi nëpër ndarje dhe ribashkime, derisa çifti u martua në vitin 2018. Martesa zgjati më pak se një vit dhe divorci i tyre u finalizua në 2019.
Sot, këngëtarja është në një lidhje me muzikantin Maxx Morando, ndërsa thekson se pavarësisht ndryshimeve në jetën personale, kujtimet me vlerë emocionale mbeten të pazëvendësueshme.