Me look-un ikonik biond dhe balluket karakteristike, Miley Cyrus është rikthyer simbolikisht në rolin që e bëri të famshme, duke festuar 20-vjetorin e Hannah Montana.
Aktorja dhe këngëtarja u ribashkua me kastin në Los Angeles për premierën e speciales “Hannah Montana 20th Anniversary Special”, një event që riktheu nostalgjinë për një nga serialet më të dashura të Disney-t.
Në një intervistë për Associated Press, Cyrus tregoi se ky përvjetor i ka dhënë mundësinë ta shohë personazhin e saj nga një këndvështrim i ri.
Ajo kujtoi se nisi xhirimet vetëm 13 vjeçe, duke luajtur Miley Stewart, një adoleshente me një jetë të dyfishtë si yll popi.
Sot, në një fazë krejt tjetër të jetës dhe karrierës, ajo e përjeton këtë rikthim si një festë dhe jo si presion. Sipas saj, distanca nga ajo periudhë e ka ndihmuar të kuptojë më mirë ndikimin e serialit.
Specialja përkujtimore ka nisur transmetimin në Disney+ dhe Hulu, duke përfshirë performanca muzikore, materiale arkivore dhe një intervistë të Cyrus të moderuar nga Alex Cooper.
Gjatë eventit, ajo falënderoi fansat dhe kolegët për suksesin e serialit, duke theksuar se “Hannah Montana” nuk është thjesht një kujtim, por diçka që vazhdon të jetojë edhe sot.
Në premierë morën pjesë edhe aktorë të tjerë të kastit si Jason Earles dhe Cody Linley, të cilët reflektuan mbi ndikimin e serialit ndër vite, duke pranuar se sot ai duket si një tjetër epokë.
Ndërkohë, këngëtarja Lainey Wilson ndau një detaj interesant: ajo kishte nisur karrierën duke imituar Hannah Montana në evente dhe festa, duke treguar ndikimin e madh që personazhi pati tek një brez i tërë.
20 vite më pas, “Hannah Montana” mbetet një fenomen, dhe rikthimi i Miley Cyrus e ka rikujtuar edhe një herë pse.