Një figurë që është kthyer në sensacion viral, ka ndezur debat të ashpër në rrjetet sociale dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi realitetin dhe mashtrimin digjital.
Rasti i Nia Noir, influencueses që prezantohet si “vajza më e bukur në botë”, ka grumbulluar miliona shikime dhe pëlqime, veçanërisht në TikTok.
Por pas pamjes perfekte dhe joshëse, fshihet një e vërtetë që shumë përdorues nuk e kishin imagjinuar: ajo nuk është reale, por një krijim i inteligjencës artificiale.
Nia Noir numëron rreth 2.6 milionë ndjekës në TikTok, ku profili i saj shoqërohet me përshkrimin enigmatik
Vetëm një vajzë me një anë të errët
Ndërkohë, në Instagram prania e saj është shumë më modeste, me pak mbi 5 mijë ndjekës, ndërsa ajo është aktive edhe në Telegram, ku ofron përmbajtje me pagesë për abonentët.
Komentet nën videot e saj janë të mbushura me adhurim: përdoruesit e quajnë “kukull Barbie”, “bukuri natyrore” apo madje një “qenie hyjnore”.
Megjithatë, paralelisht me lavdërimet, është rritur edhe dyshimi. Një pjesë e audiencës ka filluar të vërejë detaje që nuk përputhen me realitetin njerëzor.
Shumë ndjekës kanë vënë re se komentet shpesh përsëriten identikisht nga video në video, duke ngritur dyshime për ndërveprim artificial.
Të tjerë kanë vëzhguar mospërputhje vizuale: gishta të deformuar, objekte me forma të çuditshme, pajisje që nuk respektojnë logjikën fizike dhe një teksturë tepër e lëmuar e imazhit, shenja tipike të përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Rasti i Nia Noir po hap një debat më të gjerë mbi kufijtë mes reales dhe virtuales, duke treguar se në epokën e rrjeteve sociale, bukuria perfekte mund të jetë thjesht një algoritëm, dhe miliona njerëz mund të bien lehtësisht pre e saj.