Lifestyle

Përse ne duam të provojmë çdo gjë që bëhet virale?! Ja se si e shpjegojnë ekspertët…

A nuk ju ndodh shpesh ta gjeni veten duke nxituar, qoftë kjo, edhe kur bëhet fjalë për një market të hapur aty në lagjen tuaj? E po, na lejoni t’ju themi se ekspertët kanë një shpjegim për këtë. FOMO, ose frika për të mos humbur (ngjarje, eksperienca), ky është emri që ata i kanë vendosur këtij fiksimi të secilit prej nesh për të qenë të parët që sigurojnë produktin e fundit. Kjo, edhe nëse është sakrificë, shoqërohet me orë të tëra pritje në radhë.

Por, pse na tërheqin radhët?

Sipas ekspertëve, radha tregon popullaritet. Dëshira për të bërë tëndin një produkt rritet teksa sheh një grumbull njerëzish që presin në radhë për ta blerë atë. Rrjedhimisht, ky vendim i ndikuar prej shumicës, i cili merr një pjesë të mirë të kohës tënde, nuk është gjë tjetër veçse një performancë publike. Qëllimi në vetvete nuk është blerja e ushqimit, më shumë sesa dokumentimi i gjithë eksperiencës tënde. Ajo pritje nuk është vetëm për ty, por për gjithë ata që të ndjekin në rrjetet sociale. Ky imitim përforcohet nga influencuesit e personazhet publikë. Thuajse kudo nëpër rrjete sociale qarkullojnë këto video duke i drejtuar njerëzit drejt të njëjtave vende e duke krijuar turma të mëdha dhe modele të përsëritura sjelljeje.

Iluzioni i zbulimit

TikTok-u krijon ndjesinë se të gjithë po “zbulojnë” të njëjtin vend në të njëjtën kohë, edhe pse në realitet është algoritmi që e shpërndan përmbajtjen. Kjo e bën më të lehtë ndjekjen e turmës sesa kërkimin e vendeve autentike, larg itinerareve të zakonshme. Por, kjo ka kosto. Algoritmet favorizojnë atë që është tashmë popullore, duke mbingarkuar lagje të tëra dhe duke ndikuar negativisht në jetën e banorëve vendas përmes zhurmës, mbeturinave dhe turizmit të tepruar. Përpos debateve që kjo sjellje ka shkaktuar, radhët vazhdojnë të tërheqin. Ideja që ti nuk je i vetmi që po pret diçka, të bën të mendosh se po bën zgjedhjen e duhur. Edhe kur e di se gjithçka është e nxitur nga fama online, vazhdon të presësh; kjo pasi pritja është bërë po aq e rëndësishme sa vetë ushqimi.