Pavarësisht protestës së banorëve të fshatit Memelisht për të ndaluar aktivitetin e shfrytëzimit të minierës, firma Delta Star ka nisur punimet. Galeria e saj ndodhet vetëm 48 metra larg banesave. Administratori i firmës, Edison Balla u shpreh se: “Ankesat janë shqyrtuar dhe ne i ofrojmë garanci për dëmtime banorëve, nëse do të ketë, duke i ofruar policë sigurimi ose kontratë marrëveshje me bashkinë. Takimet janë ezauruar, edhe pse s’i kemi pasur detyrim ligjor”, shprehet Balla. Ai thotë se Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), e cila ka pezulluar aktivitetin e firmës më parë, e ka riautorizuar firmën që të vazhdojë aktivitetin e saj për nxjerrjen e mineralit, pasi verifikimet kanë dëshmuar se nuk ka dëmtime banesash siç pretendojnë banorët.