Parlamenti Europian ka miratuar në seancën e sotme rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 483 vota pro, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit europian të vendit.
Për këtë ka reaguar edhe ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, i cili shprehet se ‘Parlamenti ka riafirmuar edhe një herë përkrahjen e tij të fortë për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe ka njohur progresin e konsiderueshëm që vendi ynë ka arritur në fushat kryesore të reformave’.
“Pas miratimit të tij nga Komiteti për Punët e Jashtme në maj, Parlamenti Evropian votoi sot raportin e progresit për anëtarësimin në BE të Shqipërisë me një shumicë dërrmuese.
Me 483 vota pro nga 656 anëtarë që votuan, të cilët përfaqësojnë gati 74% mbështetje, Parlamenti ka riafirmuar edhe një herë përkrahjen e tij të fortë për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe ka njohur progresin e konsiderueshëm që vendi ynë ka arritur në fushat kryesore të reformave.
Kjo është një tjetër votë e rëndësishme besimi në të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe në transformimin e nxitur në vite të tëra reformash të vendosura dhe pune të palodhur.
Mesazhi është i qartë: Udhëtimi evropian i Shqipërisë po përparon, përpjekjet tona për reforma po japin rezultate të prekshme dhe objektivi ynë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian është realist dhe i arritshëm.
Falënderimet tona të sinqerta shkojnë për Parlamentin Evropian, për Raporterin Schieder dhe për të gjithë ata që vazhdojnë të mbështesin një proces zgjerimi të besueshëm, të drejtë dhe të bazuar në meritë.
Sigurisht, ende ka shumë punë përpara. Pikërisht ky është qëllimi i negociatave të anëtarësimit: të vijohet me zbatimin e reformave të nevojshme për të përmbushur standardet e anëtarësimit dhe për të siguruar transformim të qëndrueshëm.
Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur ritmin aktual, për të përshpejtuar reformat, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030”, shkruan Hoxha.