Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot dy marrëveshjet me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut për ripranimin e personave dhe transferimin e të dënuarve. Me 82 vota pro, asnjë kundër e dy abstenim, kaloi projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”.
Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi me 95 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, mbi transferimin e personave të dënuar”. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se ratifikimi i marrëveshjes mes Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës për të dënuarit është një instrument i rëndësishëm i bashkëpunimit gjyqësor në fushën penale. Shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet e Britanisë, akordi i jep mundësinë të zgjedhin, nëse duan të transferohen në vendin e tyre, për të qenë pranë familjarëve.
Projektligji i ratifikimit të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë dhe Irlandës së Veriut mbi transferimin e personave të dënuar, është një nga instrumentet më të rëndësishëm që ne po miratojmë në fushën e bashkëpunimit ndërgjyqësor ndërkombëtar në fushën e veprave penale duke mbajtur në konsideratë se kjo marrëveshje lehtëson bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Bashkuar. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Shqipëria rrit nivelin e bashkëpunimit efektiv në fushën penale në Mbretërinë e Bashkuar. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është tregues i besimit që autoritete gjyqësore të huaja i japin autoriteteve shqiptare veçanërisht duke mbajtur në konsideratë progresin e arritur nga pushteti ynë gjyqësor në zbatim të reformës në drejtësi. Kjo marrëveshje përmirëson kushtet dhe rregullat për transferimin për personat e dënuar nga të dyja shtetet në funksion të lehtësimit dhe riintegrimin social të shtetasve që vuajnë dënimin në shtetin tjetër. Me këtë marrëveshje garantojmë se shtetasit shqiptarë që janë të dënuar në Britaninë e Bashkuar të kenë një mundësi, që në rast si i shërben riintegrimit të tyre social të vijnë dhe të vuajnë dënimin në Shqipëri, ku do të mund jenë afër të afërmeve të tyre.