Modelja e njohur amerikane, Brooks Nader, ka folur hapur për anën e errët të industrisë së modës, duke rrëfyer presionin ekstrem për pamje perfekte dhe varësinë nga ilaçet për humbje peshe.

Në një intervistë për “Bustle”, 28-vjeçarja zbuloi se pas fotove glamuroze dhe tapeteve të kuq, fshihet një realitet i mbushur me pasiguri, presion dhe ndjenja faji.
Nëse nuk fitoja një punë, përgjigjja ishte gjithmonë e njëjtë: duhet të humbësh 15 kilogramë. Nuk qaja, thjesht mendoja se si mund ta arrija këtë
-tregoi ajo.
Brooks pranoi se iu drejtua medikamenteve GLP-1, përfshirë edhe Ozempic-un, për të humbur peshë, gjë që ndikoi ndjeshëm në karrierën e saj.
Kur fillova t’i përdor, karriera ime u ngrit menjëherë. Nuk po them që është e drejtë apo e shëndetshme, por humba 15 kilogramë dhe fillova të merrja çdo punë
-u shpreh ajo.
Megjithatë, modelja pranon se tani po përballet me varësi ndaj këtyre ilaçeve.
E di që nuk është e shëndetshme dhe që duhet të ndaloj, por sinqerisht — nuk jam gati. Shumë njerëz më kanë shkruar se ndodhen në të njëjtën situatë. Të gjithë turpërohen ta pranojnë, por e vërteta është që gjysma e industrisë i përdor
-shtoi ajo.
Nader foli edhe për ndërhyrjet estetike dhe komentet për pamjen e saj.
Njerëzit thonë se ngjaj me Michael Jackson… çdo Krishtlindje dukem si Freddy Krueger
-tha ajo me humor, duke shtuar se nuk ka ndërmend të fshehë ndryshimet që ka bërë.
Ne të gjithë bëjmë diçka për t’u ndier mirë në lëkurën tonë — unë thjesht jam ajo që e pranon
-përfundoi modelja.
E lindur në Louisiana, Brooks nisi karrierën si modele dhe u bë e njohur pas paraqitjeve në “Sports Illustrated”. Sot, ajo drejton reality-show-n “Love Thy Nader”, ku tregon jetën e saj reale, larg filtrave të Instagramit.
Në aspektin personal, emri i saj është përmendur shpesh në thashetheme romantike me figura të njohura si tenistët Carlos Alcaraz e Jannik Sinner dhe ish-yllin e NFL-it, Tom Brady, megjithatë, ajo nuk ka konfirmuar asnjë prej tyre.