Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, ambasadori Lamberto Zannier, do të vizitojë disa qendra votimi gjatë ditës së nesërme, teksa do të mbahen edhe zgjedhjet e 11 majit.
Vizita është planifikuar për orën 11:30 në Qendrën e Votimit 1979/00, ZAZ 41, e vendosur në ambientet e shkollës “Dora d’Istria”.
Kjo vizitë vjen në kuadër të monitorimit ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, me fokus të veçantë tek teknologjia e përdorur në procesin zgjedhor.
Pritet që vizita të shoqërohet me deklarata mbi vlerësimin paraprak të standardeve të procesit.
KQZ ka pritur 19 delegacione nga Trupat e Menaxhimit Zgjedhor të vendeve të ndryshme të botës dhe organizatave që operojnë në fushën e zgjedhjeve për 11 majin.
Përfaqësues të KQZ-ve nga Armenia, Azerbajxhan, Bosnje Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Kroacia, Kosova, Lituania, Moldavia, Maqedonia Veriut, Mali i Zi, Finlanda, Suedia, Turqia dhe të Organizatës Botërore të Trupave Zgjedhore ndodhen në vendin tonë në kuadër të “Programi i vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve”, i cili zhvillohet për herë të dytë nga KQZ.
Në një postim në rrjetet sociale, KQZ shprehet se përfaqësuesit u njohën me përgatitjet e procesit zgjedhor, mënyrën e funksionimit të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta, monitorimin e fushatës zgjedhore, etapat dhe ecurinë e procesit të votimit elektronik, identifikimin elektronik të zgjedhësve, votimin dhe numërimin elektronik.