I ftuar në emisionin ” Back to the Beginning” ka qenë artisti i njohur, Elton Deda. Ai është një prej artistëve më të popullarizuar në vitet ’90. Karriera e tij ndër vite ka qenë mjaft e suksesshme. Në një intervistë të veçantë me Kozeta Kurti artisti ka treguar detaje rreth jetës së tij, muzikës dhe jo vetëm…
Çfarë ka ndryshuar në mënyrën se si njerëzit e shijojnë muzikën sot?
Shumë gjëra, nuk është më e njëjta shoqëri dhe nuk janë më të njëjtat parime. Morali është në ditën më të keqe dhe nuk ka më ideale. Nuk ka më ëndrra dhe arti ka nevojë për këto gjëra. Art pragmatist unë nuk e di se si mund të jetë, që ne të shikojmë vetëm interesin tonë. Arti është bërë për gjëra të tjera, që ti duke u kënaqur vetë të përcjellësh të gjithë kënaqësinë tënde dhe idealet e tua, fuqinë dhe energjinë e rinisë së artistit. Sot gjithçka është kthyer në marketing, gjë që mua nuk më pëlqen.
Një këngë e bërë në vitin 2000 do të dëgjohet dhe do të këndohet njësoj në vitin 2040 siç ndodh me një këngë të vitin 1990? A mendon Elton Deda se ata si artistë ishin në kohën dhe në vendin e duhur për shkak të ndryshimit të sistemit dhe urisë që njerëzit kishin për gjëra të reja dhe për ndikimin që kishte muzika e huaj?
Po, kjo është e vërtetë. Me kalimin e viteve unë gjithmonë e kam thënë që jemi me fat. Unë kam qenë me shumë fat dhe ashtu si unë edhe shumë artistë të brezit tim. Ne përjetuam një nga gjërat më të bukura siç është ndryshimi i sistemeve, nga një sistem socialist që i thënçin në një sistem kapitalist i thënçin por era e ndryshimit dhe mënyra se si ti po del nga një botë e izlouar dhe drejt teje po hapet bota e lirë, e cila për ne ishte ajo e panjohura. Çdo njeri është shumë kurioz për të panjohurën e vet. Nuk e dinim se çfarë na priste.
Më tej artisti shtoi se:
U ndohëm fiks në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Pse jetojnë ato këngë? Sepse ne kishim ëndrra, e gjithë gjenerata ime ka pasur ëndrra. Ato këngë jetojnë edhe sot e kësaj dite sepse ishin të shkruara me mesazhe, me ideale. Aty brenda ka jetë dhe vlon pasioni. Janë shumë gjëra dhe aty nuk përmendet kurrë fjala para, makina e shtrenjtë apo një valixhe me lekë.