Lifestyle

Mos e nënvlerësoni mërzinë, kthejeni në aleate e do shihni!

Shumica prej nesh e shohin mërzinë si diçka për t’u shmangur, një boshllëk që duhet mbushur me një tjetër “scroll” në telefon. Por, sipas profesor Arthur C. Brooks nga Harvard, autor i librit The Happiness Files: Insights on Work and Life, pikërisht mërzia është një nga çelësat për të gjetur kuptim dhe ekuilibër në jetë e punë.

Kur nuk kemi asgjë specifike për të bërë, aktivizohet ai që quhet “default mode network”, një sistem në tru që ndizet në momente kur jemi bosh, si kur presim në semafor. Në këto çaste, mendja endet dhe shpesh na çon te pyetje ekzistenciale:

Çfarë kuptimi ka jeta ime? Çfarë po arrij? Shumë njerëz e shmangin këtë përballje, madje preferojnë një stimul sesa të mbeten vetëm me mendimet e tyre.

Një eksperiment i Harvardit tregoi se pjesa më e madhe e të testuarve zgjodhën t’i jepnin vetes goditje elektrike në vend që të rrinin 15 minuta të mërzitur e në qetësi. Brooks argumenton se mërzia është e pakëndshme pasi na shtyn drejt temave që zakonisht shmangim, si kuptimi i jetës, qëllimi personal, vendimet e vështira.

Dhe sot, teknologjia na ka dhënë një mjet perfekt për ta zhdukur atë: telefonin inteligjent. Çdo sekondë bosh plotësohet me lajme, rrjete sociale apo mesazhe, duke mbyllur hapësirën mendore për reflektim. Ky rreth vicioz i shmangies së mërzisë, sipas Brooksit, është një nga shkaqet e rritjes së ankthit, depresionit e ndjenjës së zbrazëtisë në shoqëri.

Mërzia si aftësi menaxheriale

Brooks e quan “aftësinë për t’u ndjerë të mërzitur” një kompetencë që duhet zhvilluar. Në vend që të përpiqemi ta shmangim, duhet të krijojmë momente të qëllimshme mërzie për të lënë hapësirë mendimit krijues dhe introspektiv. Për shembull: shkoni në palestër pa telefon apo muzikë; rrini për të paktën 15 minutash pa pajisje elektronike; mos mbani telefon gjatë darkës apo gjumit.

Në këto intervale, mendja gjen terrenin për ide të reja e pyetje të thella. Brooks tregon se pikat më interesante të reflektimit shpesh i ka pasur pikërisht në këto momente bosh. Vetë Brooks zbaton rregullat që predikon: pas orës 19:00 nuk përdor pajisje elektronike, nuk mban telefonin në dhomën e gjumit, shmang telefonat gjatë vakteve familjare dhe bën “detox” periodik nga rrjetet sociale.

Fillimi është i vështirë, një ndjesi e fortë varësie për të marrë sërish telefonin. Por pas disa orësh, tensioni bie dhe ndjen qartësi, qetësi e madje bekim.

Në një botë biznesi ku çdo gjë matet me produktivitet, të pranosh mërzinë duket kundërintuitive. Por, pikërisht aty qëndron fuqia e saj: mërzia ul ndjesinë e ngopjes me punë dhe i bën aktivitetet e zakonshme më të vlefshme.

Ajo na ndihmon të mos mërzitemi me marrëdhëniet, me detyrat e përditshme apo edhe me rolin tonë profesional. Më thelbësorja: na lejon të trajtojmë çështje madhore si qëllimi, kuptimi dhe koherenca e jetës sonë.

Brooks e shpreh thjesht:

Nëse nuk je kurrë i mërzitur do të jesh më pak i lumtur e më i prirur për depresion. Të mësosh të tolerosh dhe të përdorësh mërzinë si mjet reflektimi nuk është luks, është nevojë thelbësore për mirëqenie personale dhe për lidership të qëndrueshëm.

Në vend që të shmangim çdo sekondë bosh me një ekran, duhet ta kthejmë mërzinë në aleat. Ajo është ura drejt kuptimit, krijimtarisë dhe drejt një jete më të plotë. / shqip.al